Ministri libanez padi stafit të “Homeland”

20/10/2012 19:00

Një ministër libanez ka kërcënuar se do të padisë producentët e serialit televiziv amerikan “Homeland” për një paraqitje negative që sipas tij i është bërë qytetit të Beirutit në një nga episodet e filmit.

I zhvilluar në Beirut, episodi i dytë i sezonit të ri tregoi një takim mes terroristëve në Rrugën Hamra, në dukje një bastion i lëvizjes Hezbollah. Episodi u transmetua në Izrael.

Ministri libanez i Turizmit, Faddy Abboud deklaroi se filmimet nuk përputhen me realitetin. “Pamjet nuk janë filmuar në Beirut dhe nuk tregojnë imazhin real të qytetit”, ka thënë ai.

“Filmi tregonte Rrugën Hamra të dominuar nga milicia”, ka deklaruar ministri për “Associated Press”, duke  shtuar se rruga në fjalë është e populluar nga njerëz paqësorë dhe dyqane e kafene.

Zoti Abboud druhet se ky gabim mund të ketë një impakt negativ ndaj turizmit të qytetit. “Këta lloj filmash dëmtojnë imazhin e Libanit. Kjo nuk është e drejtë dhe për më tepër pamjet nuk janë të vërteta”, ka shtuar ai.

“Ne do të ndërmarrim një aksion, ne do t’u shkruajmë producentëve që të na kërkojnë falje dhe po planifikojmë të ngremë një padi ndaj tyre”, ka thënë Abboud.

Seriali “Homeland”, që tregon hetimet e një grupi të CIA-s për terrorizmin islamik, triumfoi në ndarjen e çmimeve “Emmy” në shtator, duke marrë në total 6 trofe.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA