Majko reagon ndaj akuzave të PD

20/10/2012 19:55

Për të komentur akuzat e ngritura nga ana e deputetit demokrat Gent Strazimiri për kompensimin monetar të emrave të njohur të diktaturës komuniste, në studion e Top Channel ka qenë zoti Pandeli Majko, aktualisht deputet i Partisë Socialiste dhe ish-kryeministër disa herë gjatë qeverisjes së të majtëve nga viti 1997 deri në vitin 2005.

TCH: Zoti Majko, ju i dëgjuat akuzat e ngritura ndaj jush për shpërblimet monetare të nomenklaturës së regjimit komunist. Cili është reagimi juaj?

Majko: “Mendoj se jemi brenda një rutine ditore të një partie që ka humbur lidhjen me realitetin. Përfaqësuesi i qeverisë mbante në dorë një vendim gjykate. Të akuzosh një ekzekutiv për zbatimin e vendimit të gjykatës është absurde. Por unë them se sot ia vlen të ketë një reflektim. Unë me kolegët e së majtës nuk jetojmë me të kaluarën. Ata janë njerëz që janë përndjekur politikisht, janë pjesë e traumës që ne me dashje dhe pa dashje e kemi anashkaluar. Deklaratat e deputetit të PD janë të turpshme, sepse ata njerëz nuk kanë marrë asnjë shpërblim. Por më tepër e kam tek mënyra e PD, që akuzon atë që ka të bëjë me marrëdhënien e PS me këtë shtresë, që janë të zhgënjyer dhe kërkojnë zbatimin e ligjit në Shqipëri. Por përgjigjia është policia dhe heshtja, edhe para SHBA e BE”.

TCH:
Të ndalemi te greva e urisë së ish-të përndjekurve nga rregjimi komunist, përse gjatë qeverisjes së Partisë Socialiste, ish-të përndjekurit nuk u kompensuan?

Majko: “Sepse ka pasur një vakum marrëdhëniesh. Ne nuk jemi njerëz që kemi fshehur lidhjen me të kaluarën dhe ka pasur një marrëdhënie të mërzitshme. Ne pas vitit ‘97 krijuam fondin për të përndjekurit dhe vazhduam. Por ne nuk kemi hedhur asnjë hap më shumë se legjislacioni, ndryshe nga PD. PS ka në programin e vetë çështjen e të përndjekurve dhe një përfaqësues të posaçëm për ta. Ato që ndodhin sot duhet të na bëjnë të reflektojmë dhe jo të bëjmë replika. Ajo që presin të përndjekurit është zbatimi i ligjit. Ne në këto 22 vjet demokraci kemi përgjegjësinë tonë. Por sot duhet realizuar një komunikim dhe të caktohet një kompensim për këtë shtresë. Nuk mund të burgoset dikush me mashtrimin se ka shfrytëzuar prostitucion, apo dikush tjetër se ka mashtruar një mashtrues italian”.

TCH: Në rast të fitores së zgjedhjeve nga ana e opozitës në vitin 2013, cili do jetë sjellja juaj me këtë shtresë të popullsisë që ka vuajtur shumë nga komunizmi dhe Partia e Punës?

Majko: “Ne nuk do të jemi aq të paturpshëm që në një moment kruçial, siç ishte vendimi i KiE për Shqipërinë, të marrim guximin të votojmë kundër rezolutës për të përndjekurit, siç bëri qeveria. Mirë është të kthejmë sytë tek ky votim i turpshëm, që është marrë kur në KiE po shqyrtohej Shqipëria. Për çështje parash apo gazi, PD është e gatshme të shesë edhe të kaluarën”.

TCH: Zoti Majko, ju faleminderit.

Akuza e Strazimirit: Majko dëmshpërbleu persekutorët

Deputeti i Partisë Demokratike, Gent Strazimiri bëri publike të shtunën vendimet e gjykatave ne vitin ’97, që provojnë sipas tij, se është Ministria e Financave gjatë qeverisjes së Pandeli Majkos, ajo që ka dëmshpërblyer disa nga drejtuesit kryesorë të regjimit komunist dhe jo Prokuroria e Përgjithshme, siç deklaroi në përgënjeshtrimin e tij zoti Majko. 

“Ky është vendimi numër 872, në të cilin Ramiz Alia padit Ministrinë e Financave për burgim të padrejtë dhe jo Prokurorinë e Përgjithshme”, deklaroi Strazimiri me dokumentin në dorë.

Gjatë interpelancës me dy anëtarë të kabinetit qeveritar për zbatimin e ligjit për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë, zoti Strazimiri tha se në shumicën dërrmuese të rasteve ishte qeveria socialiste e drejtuar nga zoti Majko ajo që dëmshpërbleu persekutorët, ku përveç Ramiz Alise figurojnë edhe dy ish-prokurorët e përgjithshëm Aranit Cela dhe Rrapi Mino, dy ish-ministra të Brendshëm, Simon Stefani dhe Hekuran Isai, si dhe ish-drejtori i Sigurimit të Shtetit, Zylyftar Ramizi.

“Gjithçka që kemi thënë është e vërtetë dhe dokumentat e tyre e provojnë. Në fakt, është e vërtetë që në Ministrinë e Financave është e pamundur të gjesh faturat e pagesave, por janë këto vendime gjykatash që ata nuk kanë zhdukur dot. Dhe kjo dëshmon pikë për pikë faktin se gjatë periudhës së shkurtër që zoti Majko ka qenë Kryeminister i këtij vendi Ministria e tij e Financave dhe jo Prokuroria e Përgjithshme, qe gjithashtu ishte e tij, kanë dëmshpërblyer për ditë burgu, bujarisht në kohë rekord, të gjithë persekutorët, shkaktarët e këtij dëmi financiar dhe moral, që akoma sot ne po përpiqemi ta paguajmë”, tha Strazimiri.

Sipas zotit Strazimiri, platforma e socialistëve për trajtimin e çështjes së ish-të dënuarve dhe të përndjekurve politikë do të vazhdojë të mbetet tallje dhe hipokrizi derisa drejtuesit socialistë të kërkojnë ndjesë për të shkuarën në emër të së ardhmes.

“Përfshirja e PS në çështjen e të përndjekurve politike do të besohej vetëm kur ata do të kenë thënë publikisht dhe në mënyrë të ndjerë, ‘më fal!’. Secili prej atyre që sot është deputet i PS ka një borxh personal, të lënë nga babai biologjik, për t’i kërkuar një ‘më fal’ të paktën një viktime, duke nisur nga i biri i Kristaq Rames, Edi Rama, firmosësi i aktit të ekzekutimit të Avzi Nelës, dhe duke vazhduar me të birin e Xhelil Gjonit, Sul Bushatit dhe sa e sa të tjerëve bij të sigurimit të shtetit që nuk kanë patur një fytyrë publike në atë kohë, por kanë bërë gjëmën nëpër Shqipëri, nga Tropoja deri në Delvinë”, tha Strazimiri.

Top Channel