Meta: Duhet të mendojmë më shumë për qytetarët

19/10/2012 23:40

Lëvizja socialiste për integrim ka mbyllur zyrtarisht fushatën e dy kandidatëve për kryetar të kësaj force politike, Ilir Meta dhe Luan Rama, të cilët do t’i nënshtrohen përzgjedhjes sipas parimit “një anëtar një votë”.

“Është akoma më e rëndësishme, që debati të përqendrohet në politikat ekonomike, ato të rritjes ekonomike, ato që e bëjnë këtë rritje më të qëndrueshme, tek ato që synojnë një shpërndarje më të drejtë të kësaj rritjeje në favor të shtresave më në vështirësi, të një angazhimi për të luftuar dhe zhdukur varfërinë për shtresa të tëra shoqërore e sidomos për mbrojtjen e vendeve aktuale të vendeve të punës dhe shtimin e vendeve të reja.

Këto janë çështjet, me të cilat duhet të merret politika jonë, këto janë çështjet me të cilat LSI do të merret edhe më shumë”, tha kryetari aktual i LSI-së, Ilir Meta.

Ndërsa rivali i tij në këto zgjedhje, Luan Rama u shpreh: “Të ecim më shpejtë do të thotë t’i bëhemi krah njëri-tjetrit, të jemi me njëri-tjetrin dhe të guxojmë për të fituar, për të përballuar sfidat, sepse LSI është partia e sfidave, LSI është partia e fitoreve nëpër sfida”.

Ndërkohë kryetari i LSI-së së Tiranës, Shezai Rrokaj, ka shpërndarë edhe karta anëtarësie për të rinjtë që janë bërë pjesë e kësaj force politike.

Top Channel