Higjena e gojës, shqiptarët të fundit në Europë

19/10/2012 17:00

Shqiptaret renditen të fundit në Europe persa i përket higjenës së gojës.

Një studim i kryer nga Federata Dentare mbi Shëndetin Oral tregon se shqiptarët shpenzojne mesatarisht 1,5 euro në vit për pastë dhëmbesh dhe për furçë.

Sipas studimit, ka raste që me një tub prej 75 ml pastë dhëmbesh kalohet i gjithë viti, ndërkohë që furça nuk ndërrohet për shumë kohë.

“Indeksi i karriesit në Shqipëri lë shumë për të dëshiruar. Krahasuar me vendet e tjera, Gjermania përshembull ka një indeks prej vetëm 0,7. Greqia, një vend fqinj e ka këtë indeks të 1,3, ndërsa ne jemi në vend të fundit në Europë, me indeksin 3,1”, deklaroi Ruzhdie Qafmolla,  koordinatore e Shërbimit Stomatologjik Shqiptar.

Statistikat  përfshijnë zonat urbane dhe ato rurale. Por, higjena e gojës është shqetesim edhe për dentistët në vendin tonë, pasi indeksi i karriesit është shumë i lartë.

“Një tjetër problem është ndërrimi i rrallë i furçave të dhëmbëve, të cilat duhet të ndërrohen e pakta një herë në tre muaj, ndërsa është shumë e rëndësishme që të ndërrohen gjithmonë pas kalimit të një sëmundje apo infeksioni”, shtoi koordinatorja.

Njëkohësisht, ajo bëri apel për të ndërgjegjësuar se lënia e dhëmbëve të prishur, është në gjendje që të krijojë probleme dhe sëmundje të tjera, edhe në pjesë të tjera të organizmit.

Top Channel