Aktivistë të Aleancës Kuqezi, në mënyrë simbolike kanë lënë pranë kutisë postare të bashkisë së Tiranës një qese me kanaçe, duke ironizuar në këtë mënyrë ndalimin që pushteti vendor i kryeqytetit i bëri mbledhjes së tyre prej romëve.

Përfaqësuesit e Aleancës kanë qëndruar për disa minuta me një pankartë përpara bashkisë, ku akuzuan Lulzim Bashën se nuk po merret me asnjë nga premtimet që bëri një vit më parë dhe me asnjë emergjencë që ka Tirana sot, si rrugët, semaforët, shërbimet urbane etj.

Sipas tyre, ai po merret vetëm me projekte që shkojnë për pasurimin e kunatit të tij, i përfshirë sipas tyre në këto projekte, siç është edhe riciklimi i mbetjeve.

“Jemi solidarizuar me këtë hall kaq të madh të kreut të bashkisë, duke i sjellë disa kanace për t’ia bërë dhuratë kunatit të tij. Shpresojmë që ky gjest simbolik do kontribuojë për përmirësimin e kushteve të jetesës së kunatit të Lulzim Bashës”, deklaroi Redi Ramaj, sekratar organizativ i AK.

Top Channel