Vjeshta s’është vetëm në Central Park

18/10/2012 00:00

Nuk janë vetëm New York City dhe Central Park-u vendet ku mund të shijosh rënien e gjetheve gjatë vjeshtës.

Pavarësisht se parku më i njohur i Mollës së Madhe dhuron një “foliage” përrallore, edhe në shtete të tjera të Amerikës, nga lindja në perëndim, ka një motiv për t’u nisur të armatosur me aparatin fotografik për të shënjestruar pejsazhe magjepsëse.

Panoramat mahnitëse, me gjethet që ndryshojnë ngjyrë, mund të shihen nga tetori deri në gjysmën e nëntorit. Në liqenin e Michigan-it, në shtetin me të njëjtin emër, ndërthuren në mënyrë të përsosur e verdha, portokallia dhe e kuqërremta.

E njëjta atmosferë është edhe në Liqenin e Sipërm të Minnesota-s, që mund të arrihet duke përshkuar autostradën numër 61 në kufi me Kanadanë.

Një pikë e mirë vëzhgimi, sipas një klasifikimi të bërë nga revista “Frommer’s”, është edhe qyteza e Woodstock-ut. Në rrethinat e Adirondacks-it ndërthuren një seri shtegjesh panoramike, si Roosvelt-Marcy dhe Olympic Byway, ndër më të preferuarit për kë dëshiron të shohë metamorfozën e gjetheve.

Ndërkohë, deri në fund të tetorit është periudha ideale për të parë ngjyrat e vjeshtës të New Jersey-t, në Skylands, duke përshkuar Rrugën 23 ose autostradën 206 përmes Sussex-it, ndërsa Rruga 29 nga Lambertville të çon në lumin Delaware.

Top Channel