SHBA, arrestohet trafikanti i dinosaurëve

18/10/2012 00:00

Një shtetas amerikan është arrestuar në orët e fundit në Shtetet e
Bashkuara nën akuzën e importimit ilegal të dinosaurëve, natyrisht jo
atyre të gjallë.

Sipas mediave amerikane, 38-vjeçari ka transportuar ilegalisht edhe skeletin e një tiranosauri mongol që ka jetuar rreth 70 milionë vjet më parë dhe që së fundmi ka filluar të qarkullojë në tregun e zi.

Sipas zyrës së prokurorit të Manhatanit, personi i arrestuar quhet Eric Prokopi, i cili është prezantuar si një paleontolog tregtar.

Ai akuzohet se ka futur në mënyrë klandestine në Shtetet e Bashkuara mbetjet e shumë dinosaurëve që vinin kryesisht nga shkretëtira e Gobit, në Mongoli, por edhe nga Kina.

Sipas prokurorit Preet Bharara, trafikanti ka qenë në qendër të një trafiku të gjerë ndërkombëtar të fosileve të dinosaurëve.

Një vizitor i zakonshëm i Mongolisë, personi akuzohet gjithashtu se ka falsifikuar dokumente doganore dhe në fund është ndalur duke drejtuar një kamion në bordin e të cilit kishte ngarkuar rreth 200 kile fosile.

Top Channel