Qeveria drejt ndarjes me CEZ-in

18/10/2012 19:50

Ministri i Financave, Ridvan Bode, konfirmoi publikisht dyshimet se qeveria po shkon drejt një ndarje të hidhur me kompaninë “CEZ”.

”Enti Rregullator, që është autoritet i Kuvendit, ka nisur procedurat për heqjen e licensës. Nga ana tjetër, qeveria po bën të pamundurën për të garantuar furnizimin e pandërprerë me energji në të gjithë vendin”, deklaroi ministri.

Zoti Bode tha se qeveria po përgatitet prej kohësh bashkë me Bankën Botërore për të gjetur një zgjidhje që nuk cënon interesat e qytetarëve.

”Kanë ardhur deri tani shtatë misione të Bankës Botërore, vetëm për këtë çështje, në mënyrë që të bëjmë një zgjidhje pa pasoja ekonomike për vendin”, vlerësoi kryefinanciari i vendit.

Qeveria e sheh fajin e krizës që ka përfshirë sistemin financiar tek kompania “CEZ”, që është keqmenaxhuar.

”Enti Rregullator, në ndërtimin e politikave dhe tarifave të çmimit ka punuar duke u bazuar në një kalendar të reduktimit të borxheve që duhet të bënte kompania, por kjo nuk ka ndodhur”, shtoi Bode.

”Jo zoti Ministër, fajin nuk e ka “CEZ”-i, por ti, ministrat e ekonomisë, kryeministri që gënjen. Ju keni dështuar në të gjitha, në modelin e paraqitur, anën financiare, anën teknike dhe mbi të gjitha për shkak të dështimit, fatura e shqiptarëve është e lartë për shkak të qeverisë, që tashmë po grabit edhe paratë e pushtetit vendor”, akuzoi ligjvënësi socialist Ahmetaj.

Por, Erjon Braçe, deputeti socialist ngriti një tjetër dyshim, që sipas tij lidhet me një skemë financiare mashtrimi që përfshin disa kompani përmes të cilave “CEZ” transferon fitimet tek kompania mëmë.

”Nëhet fjalë për një rrjet kompanish, në total katër të tilla, nga “Cez Shpërndarje”, që kanë krijuar një skemë piramidale përfitimi. Krimi i “CEZ Albania” dhe faturimi për “CEZ Shpërnarje” është skemë se si shpenzimet rriten artificialisht dhe “CEZ Shpërndarje” ka tre vjet që del me humbje”, akuzoi Braçe.

Përmes një akti normativ që u votua vetëm me votat e shumicës, qeveria ndërmorri dy masa urgjente.

Së pari i mori 12 milionë dollarë pushtetit vendor për të paguar borxhet e ujësjellësave që bashkitë dhe komunat kanë ndaj “CEZ”-it dhe masa e dytë ishte ajo e dhënies së një garancie prej 7 miliardë lekësh për “KESH”-in, që të kompesojë importet e munguara të “CEZ”-it.

Top Channel