Projekt-rezoluta për Shqipërinë

18/10/2012 19:40

Ata pak eurodeputetë që shfaqën interes për debatin e Komitetit të Jashtëm për Shqipërinë, u njohën me projekt-rezolutën e përgatitur nga raportuesi i Parlamentit Europian për vendin, i cili kërkoi mbështetje për statusin kandidat, me shpresën e plotësimit të kushteve të mbetura.

« Ne jemi përfaqësues të zgjedhur në Parlamentin Europian dhe mendoj se komentet që përbëjnë raportin tim janë për të ofruar tregues të qartë se çfarë masash duhen miratuar, çfarë hapash duhen ndërmarrë dhe çfarë duhet bërë, që të shohim që të drejtat e njeriut, standarti i jetesës dhe cilësia e jetesës së qytetarëve në Shqipëri të përmirësohet », deklaroi Nikolaos Chountis, raportues për Shqipërinë në PE.

Grupimet e djathta e të majta politike, përveç vijimit të dialogut politik, theksuan rëndësinë e zgjedhjeve të ardhshme. Ndërsa liberalët u fokusuan, ndër të tjera, tek pandëshkueshmëria dhe respektimi i të drejtave të njeriut.

Eduard Kukan, kreu i delegacionit për Ballkanin në Parlamentin Europian, theksoi : « Statusi kandidat për Shqipërinë është i arritshëm. Por, kjo varet shumë nga vullneti politik dhe nga një dialog i qëndrueshëm mes të gjitha palëve të spektrit politik. Të them se dua të jem optimist ndoshta është shumë, por unë do të kisha dëshirë të isha optimist në këtë kuadër dhe të shoh vijimin e progresit dhe normalizimin e plotë të jetës së brendshme politike në vend. Unë shpresoj gjithashtu se zgjedhjet e ardhshme nuk do ta vështirësojnë këtë progres ».

Zëvendësraportuesi për Shqipërinë, Libor Rouçeku, njëkohësisht përfaqësues i socialdemokratëve, shtoi : «Ajo që do jetë thelbësore për Shqipërinë vitin që vjen, janë zgjedhjet. Zgjedhjet parlamentare të pranverës. Dhe unë mendoj jo vetëm që kjo duhet përmendur, por duhet theksuar në këtë raport sepse është thelbësore jo vetëm për zhvillimin e demokracisë në Shqipëri, por edhe një test për progresin europian të Shqipërisë. Me fjalë të tjera, garancia e statusit kandidat ».

Qëndrimi i ngjashëm edhe i Marijete Schaake, zëvendë-raportuese për Shqipërinë: « Është një fillim i rëndësishëm, por është fillimi i atij që unë besoj se mund të jetë një proces i gjatë, ose të paktën një proces intensiv reformash të cilat duhet të jenë të thella dhe domethënëse dhe jo sipërfaqësore. Ky Parlament ka qenë dëshmitar i polarizimit shumë të dhimbshëm politik dhe ngërçit të rrënjosur thellë në sistemin e sotëm politik të Shqipërisë. Mendoj se është e rëndësishme që ne si Parlament të vijojmë të flasim dhe të prekim direkt popullin shqiptar. Pasi kjo që po bëjmë është për të ardhmen dhe në përfitim të tij, dhe jo për klasën politike apo për një brez politik ».

Të pranishëm në debatin për projekt-rezolutën ishin edhe përfaqësues të Komisionit Europian.

Vasilis Maragos, kreu i njësisë për Shqipërinë në Drejtorinë e Zgjerimit në « KE », deklaroi për « Top-Channel » : « Dua gjithashtu të theksoj rëndësinë që institucionet shqiptare të vijojnë të dëshmojnë angazhim në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, përfshirë nëpërmjet hetimeve proaktive dhe procedimeve gjyqësore, në mënyrë që të japin garanci, jo vetëm ndaj institucioneve europiane, por kryesisht ndaj vetë qytetarëve të Shqipërisë se nuk ka pandëshkueshmëri ndaj veprimeve të paligjshme ».

Debati i dytë për rezolutën, me shtimin e amendamenteve nga grupet e ndryshme politike, pritet të zhvillohet më 15 nëntor, për t’u votuar në Komitetin e Jashtëm më 22 nëntor. Qëndrimi përfundimtar i Parlamentit Europian për Shqipërinë votohet në seancë plenare të dhjetorit.

Pergatiti: Arta TOZAJ, Bruksel

Top Channel