“Propozimet e Komisionit Europian në progres raport bazohen në merita
dhe nuk është një dhuratë”, kështu deklaroi Majlinda Bregu ministre e
Integrimit gjatë një seance dëgjimore në Komisionin Parlamentar të
integrimit europian.

Që këto propozime të miratohen në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të BE-së në dhjetor tha Bregu atëherë është e nevojshme një konsensus politik për të miratuar ligjet që lidhen me Gjykatën e Lartë, administratën publike dhe reformën parlamentare deri në muajin nëntor.

“Nëse tre detyrimet e mbetura nuk votohen deri në datën 20 nëntor, nuk ka shanse që në dhjetor Këshilli të miratojë dhënien e statusit vendit. Pse zgjedhjet duhet të jenë parakusht për hapjen e negociatave? Në zgjedhjet e 2013 pavarësisht se kush është humbëse dhe fituesi nuk ka përse të perzihen rolet”, tha Bregu.

Zonja Bregu gjatë fjalës së saj u shpreh se vonesat dyvjeçare në procestet integruese lidhen me qëndrimet e opozitës. Sipas saj përbaltja masive pas zgjedhjeve të 2009-s e imazhit të Shqipërisë ishte tejet e dëmshme.  
Gramoz Ruci, anëtar i këtij Komisioni e kundërshtoi deklarimin e ministres Bregu, të cilës i sugjeroi se nuk mund të flasë përpara sovranit, siç është Parlamenti, me gjuhën e një komisareje partie.

“Problemi i imazhit janë problemet e korrupsionit, janë problemet e kriminalitetit të Shqipërisë dhe Shqipëria me deputetë të vrarë, me komunarë të vrarë me demonstrues të vrarë, Shqipëria me gjyqtarë të vrarë me kryepolicë të vrarë, Shqipëria me përndjekur të djegur, këto janë ato që i prishin imazhin Shqipërisë. Më vjen keq për konceptin që e shihni opozitën numra”, tha Ruçi.

Top Channel