Plazhi i Zvërnecit në Vlorë ishte ndalesa e radhës e deputetit
socialist Taulant Balla në vijim të denoncimeve për privatizimet masive
të pronave të Ushtrisë Shqiptare nga Ministria e Mbrojtjes.

“Sot jemi në një ndër plazhet më të bukura dhe sigurisht në të vetmit që kanë mbetur ende të virgjër, ende i pashfrytëzuar. Kodra përballë bën pjesë në një prej pronave të ushtrisë shqiptare të cilën Arben Imami po e bën gati edhe këtë për ta shitur”, tha Balla.

Deputetit Balla tha se ndërkohë që pretendohet se turizmi është një prioritet, pronat bregetare po shiten pa kritere e pa një plan apo studim për atë që do të ndodhë me to pas privatizimit.

“Ndërkohë që i gjithë ky plazh duhej të ishte pjesë e një studimi të plotë në kuadër të atij prioriteti që qeveria thotë se është turizmi. Më lejoni të citoj me radhë të gjitha pronat e ushtrisë shqiptare të cilat Arben Imami po bën gati të shesë në të gjithë këtë pjesë të bregdetit të bukur të Nartës dhe të Zvërnecit. Bëhet fjalë për repartin e ish Artilierisë bregdetare që fillon prej Pusit të Mezinit në Vlorë, në Nartë dhe në Zvërnec, prekj 209,300 metër katror. Më pas është një battalion tjetër, reparti 3080 prej 124,000 metër katror. Vazhdojmë me një bateri tjetër të artilerisë   kundërajrore prej 24,000 metër katrorë. Pra sic e shikoni janë afërsisht 350,000 metër katrorë prona të ushtrisë, në administrim nga Ministria e Mbrojtjes, për të cilat Arben Imami ka filluar procedurën e shitjes, i ka kërkuar Ministrisë së Ekonomisë për të filluar shitjen e tyre”, tha Balla.

Taulat Balla, sikurse një ditë më parë po nga qyteti i Vlorës ritheksoi se pavarësisht fjalëve të qeverisë,  këto prona të Ushtrisë Shqiptare po shpërndahen pa asnjë qëllim strategjik apo nevojë komunitare, duke i shërbyer interesave të ngushta personale dhe jo interesit të përbashkët të të gjithë qytetarëve shqiptarë, duke shkuar përkundrazi kundër këtyre interesave të përgjithshme.

MM: Lista e pronave në internet

Ministria e Mbrojtjes reagoi duke thene se lista e pronave qe kane dale ne shitje eshte publike ne faqen zyrtare dhe nuk ka asnje abuzim ketu.

“Deputeti Taulant Balla refuzon ose nuk mundet të kuptojë sqarimet që Ministria e Mbrojtjes ka dhënë në vijimësi për procedurat dhe trajtimin e pronave të tepërta të ushtrisë. Ndaj të ndodhur në këtë situatë, nuk na mbetet gjë tjetër veçse të inkurajojmë deputetin e Partisë Socialiste që në 983 ditët në vazhdim të vazhdojë të informojë ish-pronarët, njësitë e pushtetit lokal apo edhe investitorë të ndryshëm rreth 983 pronave në administrimin e Ministrisë së Mbrojtjes që janë në proces tjetërsimi.  Kontributi i zotit Balla në përmirësimin e vazhdueshëm të imazhit të Ministrisë së Mbrojtjes dhe rritjes së transparencës është i mirëpritur, megjithë publikimin në faqen tonë të internetit të listës së pronave të tepërta prej vitit 2010, pjesë e së cilës janë dhe pronat e cituara nga zoti Balla”, thuhet në reagim.

Top Channel