“Reforma fiskale na mbrojti nga kriza”

14/10/2012 16:00

Panairi i punës dhe studimit, ku sipas të dhënave zyrtare është lajmëruar se janë të lira rreth tre mije vende pune, ishte një vend i përshtatshëm ku kryeministri Sali Berisha të trajtonte disa nga çështjet e debatueshme ekonomike te vendit, kryesisht punësimin dhe taksat.

Dy çështje këto që po trajtohen me intensitet si nga qeveria edhe nga opozita, si pjese të programeve të tyre për zgjedhjet e ardhshme.

Sipas kryeministrit Berisha, vetëm për shkak të barrës së ulët fiskale, në Bashkine e Tiranës janë regjistruar që nga fillimi i vitit rreth 6 mijë biznese të vogla, ku janë deklaruar të punësuar rreth 8 mijë qytetarë.

Ndërsa në rang kombëtar, kryeministri Berisha tha, se pavarësisht nga problemet me të cilat po përballet ekonomia, për shkak të krizës së Eurozonës, Shqiperia ia ka dalë të mos përfshihet nga recesioni dhe të rrisë vendet e punës.

”FMN tha se reformat që ndërmori qeveria shqiptare para krizës u shndërruan në mburojë të vërtetë dhe vendi nuk njohu recesion. Ne ulëm barrën fiskale sepse besojmë se paratë në kontot e biznesmenëve janë vende punë të reja, jane prodhim më i madh. Moto jonë e taksave të ulëta, shmangies së barrierave burokratike bëri të mos biem në recension pavarësisht së jemi të rrethuar nga një brez recensioni”, deklaroi Berisha.

Duke krahasuar sistemin fiskal të bazuar në taksën e sheshtë, të vendosur në 2005-ën nga qeveria e tij, me propozimin e Partise Socialiste për rivendosjen e sistemit fiskal të bazuar në taksen progresive, kryeministri Berisha vuri në dukje atë që e cilëson si pasojën më negative të alternativës së socialistëve.

”Sot manifesti i Marksit po shëtit nëpër Shqipëri. Rama zotohet se do të vendosë taksën e pashpirt të Karl Marksit që shuan mijëra vende pune. Donkishotizëm, ndryshimi i sitemit fiskal. Merkel, tre ditë më parë kërkoi ulje taksash për të gjallëruar ekonomine europiane, sepse duhet punësim. Me këtë rast ju garantoj se sa kohë kjo qeveri të jetë në pushtet dhe e shoh që në horizont, po bëhet gjithmonë e me i sigurtë mandati 2013-2017, nuk do të ketë rritje, por ulje të tjera taksash”.

Top Channel