UA marrëveshje me Giffoni-n

13/10/2012 20:20

Universiteti ynë i Arteve dhe festivali i filmit ‘Giffoni’ kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi, çka do të thotë se studentët shqiptarë të filmit do të mund të jenë pjesë e aktiviteteve të këtij institucioni të rëndësishëm i kinematografisë në Itali. Rektori Petrit Malaj e cilëson këtë një moment të rëndësishëm për studentët dhe pedagogët e të vetmit universitet arti në vend.

“Një nga pikësynimet tona kryesore është edhe sigurimi maksimal i mjeteve, pajisjeve didaktike me qëllim që procesi akademik të na japë rezultate sa më të mira. Organizma kombëtarë dhe ndërkombëtarë, marrëveshjet që po nënshkruhen së bashku me zotin  Gubitosi synojnë zgjerimin e urave të bashkëpunimit mes nesh me qëllim shkëmbimin e eksperiencave, përfshirjen e pedagogëve tanë dhe studentëve në veprimtarinë artistike të përbashkëta”, deklaroi rektori Malaj.

I gjendur në Tiranë, themeluesi i këtij festivali që ka çuar në Itali filmat shqiptare edhe gjatë periudhës së komunizmit, theksoi edhe një herë angaxhimin e tij në këtë bashkëpunim të ri.

“Këtë vit kemi pasur kënaqësinë të kemi 3 studentë shqiptarë të cilëve sot u japim diplomën si pjesëmarrës në masterin Giffoni. Ndjej t’ju falënderoj unë juve, për dashurinë që keni për Giffoni-n dhe personalisht do të kujdesem për pjesëmarrjen e studentëve tuaj në aktivitetet tona si në Itali edhe kudo në  botë në përmbushje të kësaj marrëveshjeje”, tha zoti Claudio Gubitosi themelues i Festivalit ‘Giffoni’, Itali.

Më vonë gjatë ditës, në Universitetin e Arteve është mbajtur edhe ceremonia e dhënies së titullit “Honoris Causa”, Claudio Gubitosit, themeluesit të “Giffoni Film Festival” në Itali.

Top Channel