Tiranë, shtatore për Zogun e Ismail Qemalin

09/10/2012 00:00

Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi me votat mazhorancës vendosjen e monumentit të Ismail Qemalit dhe Ahmet Zogut në kryeqytet në kuadër të festimeve të 100-vjetorit të Pavarësisë.

Gjatë nisjes së diskutimeve për figurën e Ahmet Zogut, këshilltarët socialistë braktisën sallën, ndërkohë që mazhoranca këmbënguli në vlerat e Zogut në shtetformimin shqiptar.

Më herët Këshilli Bashkiak mori vendimin për taksim shtesë të
kazinove dhe lojërave të fatit që ushtrojnë aktivitetin jo në periferi
të kryeqytetit. 

Vendimi për taksimin shtesë të këtyre aktiviteteve u mor vetëm me votën e këshilltarëve të mazhorancës, ndërkohë që socialistët nuk morën pjesë në votim. Sipas këtij vendimi, aktivitetet e lojrave të fatit dhe kazinotë në brendi të Tiranës, do të taksohen më shumë se sa të njëjtat aktivitete në periferi të qytetit.

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha tha se me planin e ri urbanistik, kazinotë dhe lojërat e fatit do të vendosen në periferi.  Basha fajësoi këto aktivitete për një sërë problemesh, kryesisht në qetësinë publike.

Dy masat e parashikuara nga vendimi i Këshillit Bashkiak hyjnë në fuqi më 1 janar dhe 30 qershor të vitit të ardhshëm.

Në nisje të punimeve të ditës, kreu i këshilltarëve socialistë, Aldrin Dalipi denoncoi mungesën thuajse 3-mujorshe të mbledhjes së Këshillit Bashkiak duke e quajtur këtë si antiligjore dhe në shkelje të të drejtave të qytetarëve.

“Mungesa e mbledhjes, shkel ligjet dhe të drejtat e qytetarëve të këtij vendi”, deklaroi zoti Dalipi duke i bërë thirrje më pas trupit diplomatik ndërkombëtar të vëzhgojë punën, sipas tij, antiligjore të Bashkisë së Tiranës.

Top Channel