Po na tregon si do jenë zgjedhjet e ardhshme

07/10/2012 00:00

Skënder Minxhozi – Kur shumëkush (brenda opozitës) kujtoi se me reformën e fundit zgjedhore, përbërjen e rinovuar të KQZ dhe masa të tjera ndryshuese, u pakësuan hapësirat e abuzimit në fushatën e ardhshme elektorale, duhet të pranojë se ia ka futur kot.

E nuk bëhet fjalë për ndonjë komplot listash apo trukime qendrash votimi. Ato do të vijnë më pas. Shkelja e rregullave po vjen nga anë që askush s’e priste: sistemi i arsimit parauniversitar. Ligji i arsimit parauniversitar nr.69/2012, i miratuar katër muaj më parë, e thotë qartë se “arsimi parauniversitar është i depolitizuar”. E thotë, por jo aq qartë sa duhet, për t’i prerë rrugën atyre që me fjalëformimin e ligjeve shkelin prej vitesh vetë ligjet. Kujtoni sesi u xhonglua me fletët e hedhura në kutinë e gabuar, për të kuptuar sesa larg shkon sofizmi gjuhësor i atyre që i shkelin ligjet duke u përbetuar për të kundërtën.

E megjithatë, në këtë rast, nuk ndodhemi përballë ndonjë shkeljeje kaq të maskuar ligjore. Kryeministri u tregua transparent dhe i drejtpërdrejtë në aktin antiligjor. Ai tha se do të fliste për politikë me fëmijët, sa herë që të ndodhej para tyre. Siç shihet ndodhemi në një fazë më të avancuar sesa ajo kur shkelej ligji dhe bëhej një sforcim minimal për ta maskuar vetë shkeljen. Jemi në fazën kur zullumi është kaq i trashë, saqë i zoti nuk ka turp ta tregojë faqe njerëzisë. E kjo duket se e ka një qëllim. Që nuk është ai i prenotimit të disa votave të një grushti prindërish në Lezhë a Konispol.

Në këtë pragfushate, Sali Berisha po na jep një mesazh të ri, të gjithëve. Ai po na tregon se cila do të jetë korniza, sinoret dhe standardet në të cilat do të mbahen zgjedhjet e verës së vitit të ardhshëm. Beteja e tij donkishoteske me opozitën nëpër oborre shkollash, nuk ka në fakt ndonjë valencë numerike. Të paktën jo tani dhe jo në këtë formë. Përveç habisë e irritimit eventual të prindërve (fëmijët janë të pandërgjegjshëm për 99.99% të batutave të kryeministrit), është shumë e vështirë të besohet se Berisha po mbledh përkrahje popullore duke sharë kundërshtarët e tij nga mjediset shkollore.

Kryeministri aktual është personi që ka vizibilitetin më të madh se çdo shqiptar tjetër që jeton brenda këtyre kufijve. Aktivitete, konferenca, seminare pafund, mbledhje të formatit politik, fjalime kilometrike në Parlament dhe kronika servile maratonë, sa herë që vë këmbën në avion, për të dalë diku jashtë. Berisha është gjithë ditën në video. Vetëm të premten paradite, ai u shfaq tri herë “live” në ekrane, në tri vende të ndryshme.

Atëherë përse i duhen kronikat shkollore Kryeministrit?! Pikërisht për atë që u tha më lart. Pra, për të bërë fakt të kryer shkeljen me këmbë të një tabuje të vogël elektorale, e cila lidhet me mospërdorimin e institucioneve arsimore, si tribuna të mirëfillta politike. Dhe për t’i dhënë kësisoj një sinjal publik të gjithë ngrehinës politike që drejton, që të veprojë në të njëjtën mënyrë. Nga ana tjetër, ky është gjithashtu një akt i pastër dhune psikologjike ndaj trupës arsimore kudo në Shqipëri, për ta sugjestionuar e manipuluar politikisht në prag të zgjedhjeve.

Edhe në zgjedhjet e shkuara, qeveria i ka përdorur nxënësit e shkollave në fushatë, por jo në këtë formë kaq direkte dhe cinike. Jozefina Topalli, një zyrtare që hipokrizinë politike e ka stil jetese, por edhe shtetarë të tjerë, i kanë përdorur fëmijët si sfond duartrokitësish në mitingje apo takime të ndryshme publike. Këtë e kanë vënë në dukje edhe raporte të ndryshme të organizmave ndërkombëtare që trajtojnë fushatat elektorale në Shqipëri. Por nuk kishte ndodhur deri më tani që të thuhej açik, në formë kaq të hapur e sfiduese, se sa herë që të ketë një inaugurim të një institucioni arsimor, medoemos do të ketë një minutazh fjalimesh që do t’i drejtohen Edi Ramës dhe opozitës. Jo vetëm që e bën, por lajmëron edhe se do ta bëjë me patjetër, sa herë që t’i bjerë rruga. Kjo kokëfortësi e verbër e Sali Berishës, ishte një notë e tepërt tensioni në skenën edhe ashtu të ngarkuar me tensione të politikës shqiptare.

Ky standard i shkelur me këmbë që e mbronte minimalisht arsimin nga ndotja politike, do ta bëjë ku e ku më të lehtë përdorimin e institucioneve të tjera të depolitizuara, në fushatën e ardhshme zgjedhore. Këtej e tutje, pasi të jetë “pranuar” publikisht si e mirëqenë sjellja e Sali Berishës me nxënësit, do të jetë pafundësisht më e lehtë që kjo sjellje të zhvendoset në mjedise të tjera ku normalisht politika dhe politikanët duhet të hyjnë me majat e gishtave.

Çfarë mund të thuhet pas kësaj, për përdorimin në mitingje e aktivitete të fushatës, për nëpunësit civilë të administratës qendrore? Çfarë mund ta pengojë Sali Berishën dhe listën e tij të kandidatëve për deputetë, që t’i përdorin këtej e tutje prerjet e shiritave dhe aktivitetet në spitale, azile pleqsh, jetimore apo edhe institucione ushtarake e policore, edhe për “pak” propagandë anti-opozitare. Me përlyerjen e arsimit parauniversitar në debatin politik të ditës, është gjetur çelësi “kopil” që të hapen dyert e të gjitha institucioneve të tjera. E kjo, siç thamë, mund të ndodhë në mënyrë masive në fushatën e ardhshme. Diçka që tingëllon e sigurt, nëse lexojmë edhe raportin e fundit të OSBE-së, i cili njoftonte për një fushatë “të egër” në verën e ardhshme.

Gazeta ‘Shqip’

Top Channel