Mbrëmja e së enjtes ka qenë e mundimshme për qytetarët të cilët udhëtonin në drejtim të Shqipërisë apo anasjalltas.

Autostrada Kukës-Morinë, përkatësisht vendi i quajtur “Fushorja e Uzinës”, u bllokua për 4 orë rresht nga banorët e tri fshatrave të Kukësit.

Këta të fundit, të irrituar nga ndërprerja e energjisë elektrike prej më shumë se 4 ditësh, gjetën bllokimin e autostradës si mënyrën më të mirë për të kundërshtuar mungesën e energjisë elektrike.

Zyrtarisht mësohet se banorët e tri fshatrave, Tërthore, Shtiqen dhe Bicaj nuk e paguajnë energjinë elektrike dhe kompania CEZ ka bërë ndërprerjen e saj.

Kompania CEZ njoftoi se kishte ndërprerë energjinë për debitorët, por pasi banorët rrethuan nënstacionin elektrik, për të shmangur incidentet u bë stakimi i energjisë në nënstacion e për pasojë prej orës 19.00 edhe qyteti i Kukësit mbeti pa energji.

Protesutesit ishin shumë të revoltuar, ndërsa policia qëndronte në distancë. Në një moment protestuesit filluan të gjuanin me gurë në drejtim të automjeteve, të cilat i afroheshin grupit të protestuesve.

Të shqetësuar u shprehën edhe udhëtarët, të cilët tashmë kishin disa orë që po prisnin. Është dashur ndërhyrja e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë për të hapur aurostradën e bllokuar.

Banorët që nuk paguajnë energjinë elektrike thanë se deri sa të marrin dëmshpërblimin për tokat e zëna nga liqeni i hidrocentralit të Fierzës nuk do të pranojnë ta paguajnë atë.

Top Channel