Nis “The Voice of Albania”

04/10/2012 20:10

Në edicionin e tij të parë ka qenë padyshim një nga programet më të ndjekura dhe më të dashura për publikun. “The Voice of Albania” vjen sërish me gjithë madhështinë dhe ngjyrat e tij në ekranin e Top Channel çdo të premte mbrëma.

Sipas autorit Rezart Aga,  spektakli muzikor nuk do të zhgënjejë as këtë herë duke sjellë edhe më shumë surpriza, zërat më të mirë, por edhe risi që do ta bëjnë këtë program tepër tërheqës dhe interesant për publikun.

“Është bërë një punë e jashtëzakonshme për ta risjellë ndryshe këtë show. Do të dëgjojmë zera të mrekullueshëm. Në netët finale secili trajner do të ketë 5 konkurentë”, tregon Aga.

Skenografia, megjithëse ka ruajtur elementet e patentës ndërkombëtare, serviret këtë herë e përmirësuar me elementë të rinj të ndriçimit dhe të skenës nga skenografi Fatmir Minga.

“Konkurentët do të hipin në skenë me historinë e tyre dhe shtypja e butonit do të jetë edhe më e vështirë për jurinë”, shprehet Rezart Aga.

Konkurentët  do të përballen me të njëjtën juri: Elton Deda, Alma Bektashi, Sidrit Bejleri dhe Miriam Cani.

“The Voice” vjen edhe në këtë edicion nën drejtimin e Ledion Liços si një spektakël i mbushur me emocione dhe të papritura. Regjia i është besuar sërish Ergys Lubonjës.

Ky realizim ka sjellë në Tiranë edhe një ekip xhirimi të televizionit të njohur gjerman “Pro7”.

Miriam Cani, pjesë e jurisë, shpjegon: “Ky televizion ka ardhur për të parë nivelin e talenteve shqiptarë dhe janë befasuar për mirë.”

Gazetarët e kanalit “Pro7” po realizojnë një reportazh mbi versionin shqiptar të “The voice” si dhe pjesëmarrjen e Miriam Canit në këtë spektakël.

Top Channel