50 vjet nga “Love Me Do”

04/10/2012 16:50

Më 5 tetor mbushen plot gjysmë shekulli nga hedhja në treg e “Love Me Do”, kënga e Beatles që ndryshoi rrjedhën e historisë së muzikës, që e revolucionarizoi atë.

Më 5 tetor 1962 në radio do të luhej për herë të parë, kënga e parë e 45 hiteve të tjera të bandës angleze, nën frymën e muzikës së atyre viteve. “Love me Do” u cilësua si guri i themelit i muzikës së re. 50 vite më vonë, kjo këngë konsiderohet si parathënie e një epoke kulturore dhe në nder të “lindjes” së saj zhvillohen aktivitete në mbarë botën.

Por kryeqendra e këtij përvjetori, natyrisht që mbetet Liverpuli, shtëpia e “Beatles” ku do të organizohet “Love Me Do Weekend”, nga data 5 deri në 7 tetor. Përvjetori, i shndërruar në një ritual tashmë, sidomos për nostalgjikët e bandës britanike, do të përkujtohet me një sërë aktivitetesh dhe në të përfshihet edhe një vizitë turistike nëpër zonat, vendet dhe lokalet që frekuentonin katër anëtarët e bandës.

Për mbylljen organizatorët kanë menduar të vendosin një rekord Guinnes. Një kor i përbërë nga mijëra persona do të këndojë “Love Me Do”. Kënga do të regjistrohet dhe më pas do të hidhet në internet për të gjithë të apasionuarit.

Top Channel