Plakje në mënyrë aktive

01/10/2012 17:50

Të përfundosh vitet e punës, për shumë njerëz nuk është fundi i aktivitetit profesional.

Ndryshe nga një pjesë e madhe që zgjedhin të rehatohen në ditët e tyre të pensionit, disa të tjerë kërkojnë të vijojnë aktivitetin me po të njëjat ritme, edhe pse jo zyrtarisht në punë.

Nermin Strazimiri apo mësuese Piti siç e thërrasin të gjithë ka dalë në pension në vitin 1998.

Ajo ishte 53 vjeç dhe ndiente se nuk mund të tërhiqej nga profesioni i jetës së saj, baleti. Prej atëhere gjen kohë të bëjë gjërat që i pëlqëjnë më shumë, por edhe të mësojë ende brezat e rinj.

“Unë edhe ditën e shtunë dhe të dielë vij në këtë sallë baleti. Ajo sikur më largon sëmundjen, dhembjet që kam dhe është një kënaqësi që shoh se si në këtë moshë vazhdoj të jem e fuqishme”, shprehet zonja Strazimiri.

Këtë ndjesi pozitive mundohet ta përcjellë edhe tek një grup shumë i veçantë për të.

“Kam disa zonja intelektuale që vijnë dhe bëjnë aktivitet këtu tek unë, kërcejnë, mësojnë samba, vals e lloje të tjera kërcimesh. Është një frymë që ka hyrë edhe në moshat e treta”, shton mësuesja e baletit.

Baleti ka patur ndikim të drejtpërdrejtë në optimizmin që ajo përcjell për jetën.

Nga ana e tij, profesor-doktor Mark Tirta ka dhënë një kontribut të madh me botimet e shumta në fushën e etnologjisë.

Por, ai ende nuk ka hequr dorë nga puna e tij shkencore. Prej vitit 2008 kur ai ka dalë në pension, thuajse asgjë nuk ka ndryshuar në rutinën e tij.

“Dita ime nuk ka pasur ndonjë ndryshim të madh as pas daljes në pension. Vazhdoj të marr pjesë në aktivitete të ndryshme, në Shqipëri, në Kosovë, Maqedoni dhe ndonjëherë edhe në perëndim”, shprehet profesori i moshuar.

Ai vijon të botojë në revista të ndryshme. Ndërkohë që po punon dhe për disa libra të rinj. “Vazhdoj të shkruaj dhe të botoj në revista shkencore dhe kulturore shkrime të ndryshme. Jam duke përgatitur edhe disa punime të reja dhe të tjera që i kam pasur gati që më parë. Aktualisht, po përgatis fjalorin e mitologjisë dhe një tjetër botim që kam pasur për Mirditën”.

Kur i bën pyetjen deri kur do të vijojë me studimet, zoti Tirta përgjigjet kështu: “Deri sa të mos jem në gjendje të shoh dhe të lëviz duart do të punoj. Kam menduar gjithmonë që unë do të vdes ose në tavolinë ose në ekspeditë nga fshati në fshat”.

Teuta Ibrahimaj është një zonjë që rrezaton optimizëm. Në muajin gusht të këtij viti ka dalë në pension.

Mendonte se kjo do të ishte një periudhë shumë e vështirë për të, por në të vërtetë po e përjeton krejt ndryshe. Dita e saj ka ndryshuar fare pak dhe nuk heq dorë nga shëtitjet me makinë që i japin shumë kënaqësi

“Patentën e kam parë 15 vjet, e kisha aq të madhe dëshirën sa e kam mësuar fare thjeshtë, duke e ndjekur rregullisht autoshkollën”, shprehet Ibrahimaj.

Pasagjerët më të entuziasmuar në makinën e saj janë dy nipat e vegjël të cilët tani i takon më shpesh.  Për Teutën makina  është shumë e rëndësishme.

“Ndihem shumë mirë në timon, kam shumë siguri në makinë dhe gjithë këto vite kam lëvizur shumë, rrugë deri 300-400 km dhe nuk kam patur asnjëherë një problem, kam qenë shumë mirë dhe makinën e kam tashmë pjesë të vetes sime”.

Është mjeti që i jep pavarësi dhe ua sugjeron të gjitha zonjave.

“Makina duhet se është pavarësi për një grua, kur i jep vetë mund të lëvizësh, bën pazarin, shkon në plazh, del e pavarur, pa pasur nevojë të bësh burrin shofer. Është një gjë shumë e mirë që gruaja të mësojë makinën”, thotë Ibrahimaj.

Nuk kanë rëndësi as rrethanat dhe as mosha për të zhvilluar një pasion. Këta njerëz na tregojnë se dëshira për punën do t’i mbajë të gjallë.

Top Channel