Një agjent francez, ekzekutori i Gadafit

29/09/2012 00:00

Duket se autor i ekzekutimit të liderit të Libisë Muamar Gadafi ka qenë
një agjent i huaj dhe jo anëtarët e Brigadave Revolucionare.

Pamjet që shokuan mbarë botën, ku mbeti i vdekur Gadafi i përkasin 20 tetorit të vitit të shkuar dhe u zhvilluan në periferi të Sirtes.

Nuk është hera e parë që në Libi, vihet në dyshim versioni zyrtar i vdekjes së Kolonelit, por tani është vetë Mahmud Xhibril, ish-kryeministër i Qeverisë së tranzicionit, i cili hedh një tjetër pistë për atë që e quan ‘komplot i organizuar nga një shërbim sekret i huaj’. “Ishte një agjent i huaj, në mes të Brigadës Revolucionare, ai që vrau Gadafin”, u shpreh Xhibril, gjatë një interviste për një televizion egjiptian në Kajro, ku ndodhet për të marrë pjesë në një debat mbi Pranverën Arabe.

Në ambientet diplomatike perëndimore që ndodhen në kryeqytetin e Libisë, komenti më i përhapur ka qenë se në vrasjen e Gadafit, ka patur dorë shërbimi i huaj 007 dhe me shumë mundësi autori ka qenë një agjent francez. Që prej fillimit të mbështetjes që NATO po i bënte revolucionit, shumë të dëshiruar edhe nga qeveria e ish-presidentit francez Nikolas Sarkozi, Gadafi kërcënoi hapur që të bënte publike detaje të raporteve të tij me Sarkozine, përfshirë edhe financimin me miliona dollarë të fushatës së tij në garën presidenciale të 2007. “Sarkozi kishte të gjitha motivet për të hequr qafe sa më shpejt Kolonelin”, thonë burime diplomatike europiane në Tripoli.

Kjo tezë përforcohet edhe nga të dhënat e mbledhura nga media italiane ‘Corriere della Sera’, tre ditë më parë në Bengazi. Në këtë vend, Rami El Obeidi ish-përgjegjësi për raportet me agjencitë e huaja të informacionit, për llogari të Këshillit Kombëtar Tranzitor (ish-organizmi vetëqeverisës i revolucionarëve libianë, deri në mes të vitit 2011) ka rrëfyer njohjet e tij në lidhje me modalitetet që lejuan NATO-n të gjendet vendin ku ishte fshehur Koloneli, pas marrjes në dorë të Tripolit në data 20-23 gusht të vitit 2011.

“Atëherë thuhej se Gadafi mund të ishte arratisur në shkretëtire drejt kufirit jugor të Libisë, bashkë me disa mbështetës të tij, me qëllimin për të riorganizuar rezistencën”, shpjegoi Rami El Obeidi. Lajmi u përforcua nga forcat revolucionare, të cilat kishin intensifikuar sulmet në rajonin në Jug të Bani Walid dhe drejt oazeve jugore. Por në fakt Gadafi kishte gjetur strehë në qytetin e Sirtes. “Këtu diktatori kërkoi që të komunikonte përmes valëve të tij satelitore Iridum me besimtarët dhe mbështetësit që ishin arratisur në Siri, nën mbrojtjen e Bashar al Assad. Mes tyre ishte njëri prej propaganduesve më të mëdhenj televizive, Yusuf Shakir (i cili sot mendohet të jetë shëndoshë e mirë në Pragë). Ishte pikërisht Assad, ai që i kaloi numrin satelitor të Gadafit, agjentëve franceze 007. Në këmbim Assad mori nga Parisi premtimin për të ulur presionin ndërkombëtar mbi Sirinë dhe për të forcuar represionin kundër popullsisë siriane, tashmë në revoltë”, thote El Obeidi. Më të marrë këto të dhëna, përmes GPS gjetja e Gadafit ishte një lojë fëmijësh për ekspertët e NATO-s.

Top Channel