Event spektakolar i Arteve Marciale jashtë Shtëpisë së Bardhë, ndeshjet do të zhvillohen në ditëlindjen e 80-të të Donald Trump

27/05/2026 21:50

Një event spektakolar i arteve marciale të përziera (MMA) pritet të zhvillohet jashtë Shtëpisë së Bardhë, duke realizuar një nga dëshirat më të pazakonta të Presidentit amerikan Donald Trump, i njohur prej vitesh si një fans i madh i këtij sporti.

Ngjarja është planifikuar të mbahet më 14 qershor, datë që përkon si me 250-vjetorin e Ditës së Flamurit së SHBA-së, (Flag Day), ashtu edhe me 80-vjetorin e lindjes së Trump. Përgatitjet tashmë kanë nisur në lëndinën jugore të Shtëpisë së Bardhë, ku vinça gjigantë dhe ekipe teknike po ndërtojnë një arenë të përkohshme që pritet të presë rreth 5 mijë spektatorë.

Sipas planeve të publikuara, arena do të ketë një “kafaz” tetëkëndësh tipik për MMA-në, një skenë të dekoruar me ngjyrat e flamurit amerikan, një hark me yje dhe vija, si dhe dy ekrane gjigante për publikun. Në projekt është parashikuar edhe një hapësirë për performanca muzikore.

Ideja për një event të tillë u hodh fillimisht nga Trump vitin e kaluar gjatë një fjalimi në Idaho, kur deklaroi se një ndeshje MMA në ambientet e Shtëpisë së Bardhë do të ishte “diçka madhështore”. Në atë kohë ai kishte përmendur një aktivitet me deri në 25 mijë spektatorë dhe disa duele kampionësh.

Megjithatë, organizimi final duket se është reduktuar në përmasa më të vogla. Sipas mediave amerikane, ndeshja kryesore e mbrëmjes pritet të jetë për titullin e peshave të lehta mes Ilia Topuria dhe Justin Gaethje, ndërsa një tjetër duel i rëndësishëm do të jetë për titullin e përkohshëm në peshat e rënda mes Alex Pereira dhe Ciryl Gane.

Trump ka qenë prej kohësh i lidhur me botën e MMA-së dhe konsiderohet mik i afërt me presidentin e Kampionatit Suprem të Arteve Marciale të Përziera, duke marrë pjesë shpesh në evente të rëndësishme të këtij sporti.

Top Channel