Kantautorja amerikane në Tiranë

27/09/2012 00:00

Kantautorja e njohur  amerikane Mary McBride dhe banda e saj janë duke dhënë një sërë koncertesh në Shqipëri në kuadër të një nisme të mbështetur nga Departamenti Amerikan i Shtetit dhe nga Ambasada Amerikane.

Grupi i cili luan kryesisht muzikë të rrymave blues dhe jazz, ka dhënë koncerte në mbi 13 vende të botës përfshirë Shqipërinë në këto 14 muaj të fundit dhe ka performuar falas përpara njerëzve më të paprivilegjuar të shoqërisë, të cilët zakonisht nuk kanë mundësi për të ndjekur muzike live.

“Është hera jonë e parë këtu dhe po ia kalojmë shumë mirë. Ne sponsorizohemi nga Departamenti i Shtetit dhe jemi duke dhënë koncerte për personat që zakonisht nuk kanë mundësi të dëgjojnë muzikë të mirë live si dhe koncerte si ky i sotmi që janë shumë dëfryes”, shprehet Mary.

Iniciativa, e cila është mbështetur edhe nga Top Channel, si partner mediatik i saj, ka mbledhur mbrëmjen e së mërkurës në Parkun Rinia në kryeqytet njerëz të shumtë të cilët kanë ndjekur interpretimin e McBride, të shoqëruar në skenë edhe nga duoja simpatike Kamela Islamaj dhe Eugent Bushpepa.

I pranishëm në event ishte edhe ambasadori i SHBA-ve në Shqipëri, Z. Aleksander Arvizu, i cili ka përshëndetur inisiativën në fjalën e hapjes së koncertit. Ambasadori ka falenderuar personat që e kanë mbështetur atë si dhe ka vlerësuar Merin dhe bandën e saj, duke i quajtur ata ambasadorë të denjë të kulturës amerikane në botë.

Top Channel