Opozita në Shkup ka akuzuar Qeverinë se nuk po përfill rekomandimet e OSBE-ODIHR-it lidhur me Kodin Zgjedhor, pasi nuk është e interesuar që zgjedhje të ardhshme të jenë të lira dhe demokratike.

“Kjo qeveri nuk e ka ndërmend që të sjelljen Kod zgjedhor që do të garantonte mbajtjen e zgjedhjeve demokratike. Edhe me këto ndryshime të Kodit zgjedhor nga ky grup pune, do të shohim se përveç disa ndryshimeve sipërfaqësore nuk është ndërmarrë asgjë konkrete nga rekomandimet e OSBE/ODIHR-së”, deklaroi Bekim Fazliu, deputet i PDSH-së.

Gjatë debatit për ndryshimet në Kodin zgjedhor që u zhvillua në komisionin parlamentar për sistem politik, deputetët shqiptarë të opozitës po ashtu alarmuan se, në disa komuna me popullatë maqedonase, ekzistojnë rreth 200 mijë votues fiktiv. Ata thanë se këto vota shërbejnë për të rritur numrin e mandateve të deputetëve maqedonas kundrejt shqiptarëve.
 
“Po të bëhet pastrami i listës zgjedhor unë jam i bindur se shqiptarët do të përfaqësoheshin me 25% në Parlament dhe do të kishim 30 deputet shqiptar në Parlamentin e Maqedonisë dhe jo 25 sa jemi tani”, tha Izet Zeqiri, deputet i RDK-së.

Në mbështetje të projectligjit për ndryshime në Kodin zgjedhor dolën deputetët e partive në pushtet. Nga BDI, sqaruan se projektligji në fjalë është pjesë e pakos së ligjeve që dolën si rezultat i dialogut të lartë mes Qeverisë dhe Komisionin Evropian.

“Ne si grup parlamentar jemi këtu për të dhënë mbështetjen tonë ndaj kësaj pakete ligjore për shkak se duam të ruajmë kursin reformues, duam të ruajmë frymën evropiane, duam t’i japim mbështetje edhe më tej përpjekjeve për të marrë një raport pozitiv”, theksoi Ermira Mehmeti, deputete e BDI-së.

Vërejtjet për ekzistimin e votuesve fiktiv janë përsëritur në disa cikle zgjedhore, andaj rekomandimi kryesor i OSBE-ODIHR-it për Qeverinë, është pastrami i listës zgjedhore.

Top Channel