Fituesit e “Big Brother” rikthehen në “Pasdite”

24/09/2012 19:10

Katër fitues të pesë edicioneve të “Big Brother”, përballë psikologes klinike Jorida Rustemi, u rikthyen në ekranin e “Top Channel”, në emisionin e pasdites.

Në emisionin e “Pasdites”, në rend kronologjik sipas suksesit të tyre, Arbër Çepani, Qetësor Feruni, Ermela Mezuraj dhe Arbër Zeka dhanë dëshmitë e tyre për raportin e tyre me famën dhe paratë.

Qetësori: Fama të bën të pasur, por krijon dhe shumë xhelozi kundër

I pyetur në vazhdon të ndihet i famshëm, ishte Qetësori ai që nisi bisedën në studio. “Besoj se vazhdoj të jem i famshëm, por nuk duhet ngatërruar me VIP, jemi thjesht të famshëm. Kemi përshëndetje, njohje dhe këto gjëra tregojnë famën”.

Ndryshe nga personazhet e tjerë, 33-vjeçari nga Dukati fitoi famë në një moshë me përgjegjësi më të mëdha, me një familje dhe fëmijë përkrah tij. “Raportet me familjen nuk i ndryshoi aspak fama, madje tani përpiqem të qëndroj më shumë në shtëpi. Ajo që të jesh i famshëm të lehtëson është në aspektin e përfitimeve, të jep mundësira të reja materiale dhe morale. Për një të rritur, fama është gati një mollë e ndaluar, ndërsa për të rinjtë mund të jetë diçka shumë tërheqëse. E keqja e të gjithë kësaj, është se natyrshëm, lindin xhelozira dhe njerëzit që të kanë përballë, të sfidojnë duke të thënë se janë më të mirë se ty e mund të bënin të njëjtën gjë. Problemi është se ata të njohin, ndërsa ti nuk di asgjë për ta”.

Mbi shumën e fituar, Qetësori, me humor kujtoi se “të parët që të telefonojnë pas suksesit janë borxhlinjtë, madje edhe më shpejt se familjarët. Një e mirë që bëra ishte të zgjidhja makinën si pjesë e një shume të parave. Pjesa tjetër, ka shkuar për sipërmarrje dhe për të mbyllur një pjesë të huave që kisha”.

Arbri (Fituesi i BB1): Fama pas përfundimit të spektaklit të ikën shumë shpejt

Për Arbër Çepanin, fituesin e edicionit të parë, ““Big Brother” siç ta jep famën dhe aq shpejt ta merr.  E rëndësishme është të mos vuash për këtë dhe të gjesh hapësirat e duhura në momentin kur ky avantazh të është dhënë”.

Nëse do të kthehej pas, Çepani “do të merrja të njëjtin vendim për të marrë pjesë në “Big Brother”. Ishte një eksperiencë e veçantë, varet edhe si e merr, por të kesh qëllime është vërtetë shumë frytdhënëse. Ishte i pari ndër emisionet cilësore që bëheshin në Shqipëri dhe se dinim impaktin që do të kishim në publik. Në finale, kur na thotë Arbana shihni çbëhet jashtë, më dukej absurde. Mendoja se maksimumi, më ndiqnin mamaja, babai dhe ndonjë komshi”.

Si fituesi i parë i “Big Brother”, Arbri është gjithashtu i vetmi që nuk i ka përdorur 50 mijë eurot që arkëtoi me suksesin e arritur. “Pothuajse nuk më mbeti asgjë, pasi i shpenzova në funksion të fushatës sime sensibilizuese. Nuk pendohem aspak për këtë”.

Ermela: Paratë e menjëhershme më krijuan shumë probleme

Duke u përqendruar tek fama, fituesja e vetëm femër e pesë edicioneve të para të “Big Brother”, Ermela shpjegoi: “Gjithçka pasi del nga shtëpia varet nga përshtypjet e publikut. Nëse ke krijuar një marrëdhënie të mirë me publikun, vazhdon kërkohesh. Realisht unë kam dashur të tregoj në ekran vajzën e qeshur, që bën batuta, etj, por dola agresive, përfshihesha vetëm në debate. Më vjen mirë që kamera i transmetoi siç ishin ngjarjet, e në shumë raste, për mua mjeti justifikoi qëllimin në një farë mënyre”.

24-vjeçarja, duket se është e vetmja që ka përjetuar një raport të dyfishtë me paratë që fitoi falë triumfit të saj. “Shumën e fituar e mbylla në bankë dhe me të marr një përqindje depozite. Më ndihmoi që të hap palestrën time, por duke qenë se fitova një shumë të madhe në një kohë aq të shkurtër, realisht në fillim pata një problem depresioni. Tashmë mund t’i kisha të gjitha dhe nuk ndieja më kënaqësinë e pasjes së diçkaje të re, si dikur kur edhe një bluzë 500 lekëshe vishej që në dyqan nga gëzimi”.

Arbër (Fitues i BB5): Rikthimi në jetën normale është i thjeshtë

I fundit në radhën e fituesve, njeriu që po përjeton ende momentin e tij të lavdisë, Arbër Zeka shpjegoi se “për një njeri që është mësuar të jetojë në mënyrë të thjeshtë, rikthimi në normalitet nuk është i vështirë. Kur dola jashtë, euforia ishte e madhe, kishte shumë njerëz që donin të fotografonin, por mbi të gjitha, ajo që më bën të ndihem mirë është fakti që Prishtina mburret dhe ka gjetur veten tek unë”. Përsa i përket shumës prej 85 milionë lekësh të fituar në “Big Brother”, Arbri shpjegoi se nuk i ka investuar ende ato para dhe se është ende në kërkim për blerjen e një banese të përshtatshme për veten dhe familjen e tij në Prishtinë.

Në fund të emisionit, katër fituesit u rivunë përballë televotimit, në një betejë imagjinare, që rikthente në “shtëpi” secilin prej tyre. Pas votave nëpërmjet pulsantit në studio, Arbër Çepani, u shpall edhe një herë fitues mes fituesve, ndjekur nga Qetësori, Ermela dhe në fund, Arbër Zeka, fituesi në fuqi.

Top Channel