Pogradec, burg pa afat vrasësit

18/09/2012 00:00

Gjykata e shkallës së parë e Pogradecit ka dhënë masën e sigurisë ‘arrest me burg’ për autorin e vrasjes së dyfishtë të ndodhur javën e kaluar në këtë qytet.

Bëhet fjalë për shtetasin Romeo Myrtezai, i cili në grindje e sipër qëlloi për vdekje vëllain e tij Dritan Myrtezai dhe Fatmir Muhaxhirin, gjyshi i ish-bashkëshortes së tij.

Ngjarja e rëndë ndodhi ditën e premte dhe tronditi banorët e qytetit. Policia e arrestoi autorin pikërisht në banesën e prindërve të ish-bashkëshortes, ku gjeti dhe armën e krimit.

Sipas versionit të policisë, autori ishte në gjendje të dehur kur shkoi në banesën e prindërve të ish-bashkëshortes dhe kërkoi që ta merrte sërish atë së bashku me fëmijën e tyre, por hasi në rezistencën e vjehrrit të tij.

Pasi diskutuan për disa minuta, 25-vjeçari u larguar për në banesën e tij ku mori një armë automatike. Kur e pa, i vëllai Dritan Myrtezai u përpoq ta ndalonte, por hasi në breshërinë e plumbave që i shkaktuan vdekjen e menjëhershme.

Me armën në dorë autori iu drejtua banesës së ish-vjehrrit,  e cila ndodhej pak metra më tej dhe tentoi ta vriste edhe atë, por i doli përpara gjyshi i ish-bashkëshortes, i cili mbeti i vdekur si pasojë e të shtënave të shumta.

Vetëm pak muaj më parë autori së bashku me ish-bashkëshorten ishin kthyer nga emigracioni në shtetin grek dhe më tej ishin divorcuar pasi 25-vjeçari konsumonte shumë alkool.

Top Channel