Mourinho kritikon të tijët: Nuk kam ekip

16/09/2012 10:50

Humbja me Seviljen thelloi edhe më shumë diferencën e Realit me Barcelonën në renditje, me katalanasit që kryesojnë me tetë pikë, pas vetëm katër javësh kampionat.

Në përfundim të takimit, trajneri i madrilenëve, Jose Mourinho, u shpreh më i irrituar se kurrë, duke kritikuar ashpër futbollistët brenda skuadrës.

”Në interval zëvendësova dy futbollistë, por po të kisha pasur mundësi do të ndërroja shtatë. Duket sikur brenda skuadrës ka shumë pak lojtarë të përqendruar dhe që e vendosin futbollin në qendër të jetës së tyre. Urime Seviljes, ishte një fitore e merituar për ta dhe një humbje akoma edhe më e merituar për ne”, deklaroi Mourinho.

I pyetur se sa ka ndikuar “rebelimi” i Cristiano Ronaldos në demoralizimin dhe formën e dobët të skuadrës, Mournho shmangu komentet, duke thënë se “pas një ndeshje futbolli, më pëlqen të flas për futboll dhe jo për kronikat rozë”. Megjithatë, trajneri shtoi se “situata të cilën po përjetojmë nuk ka asnjë lidhje me gjendjen e Cristianos. Fatkeqësisht, duket se në ekip shumë pak po mendojnë për futbollin në këtë moment dhe ky është faji im”.

Ndonëse është vetëm fillimi i sezonit, tashmë diferenca me Barcelonën është e konsiderueshme. “Më shumë se sa diferenca më shqetëson skuadra ime”, shtoi trajneri portugez. “Në këto katër javë, kemi luajtur nga pak ndaj Valencias dhe Granadës, ndërsa nuk luftuam fare përballë Getafes dhe Seviljes. Në këtë moment, ajo që më shqetëson është që nuk kam ekip”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA