Punonjësit e ndërmarrjeve kryesore shtetërore të Kosovës si Post-Telekomi dhe Korporata Elektro-Energjetike, me anë të protestave kërkuan nga deputetët që të ndalin proçesin e privatizimit.
Për më shumë se 30 minuta punonjësit e Postë-Telekomit dhe Korporatës Energjetike ndalën punën dhe protestuan.
Milazim Alshiqi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të PTK-së: “Edhe njëherë i bëj apel qeverisë dhe deputetëve të Republikës së Kosovës që t’i thërrasin mendjes së shëndoshë dhe t’i thonë stop proçesit të privatizimit, pa miratuar ligjin e posaçëm për privatizimin e kompanive publike. Nuk është askush duke qarë hallin për punëtorët dhe për sigurinë nacionale, me të cilën kanë të bëjnë kompani si PTK, KEK dhe ndërmarrjet që janë strategjike. Kjo është vetëm një protestë paralajmëruese. Nuk dua të kërcënoj askënd, por dua të jem i sinqertë që ne na kanë shterrur format me letra dhe me dialog. I kemi proçeduar të gjitha në rast se nuk na mirëkuptojnë, por ju garantojmë që kjo situatë do të jetë krejtësisht ndryshe”.
Fehmi Pajziti, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Elektrokosovës: “Po mbajmë këtë protestë gjysmëorëshe që të zgjohen qeveritarët tanë dhe ligjvënësit tanë. Të zgjohen dhe të shohin çfarë po bëhet me privatizimin e ndërmarrjeve publike dhe me privatizimin në përgjithësi në Kosovë. Është një ligj për privatizimin e ndërmarrjeve publike, por s’është i aprovuar pasi ka mangësi. Prandaj kërkojmë që së pari të bëhet një ligj i veçantë për ndërmarrjet publike, e pastaj të bëhet privatizimi i tyre. Të saktësohet çdo send, sepse privatizimi që është bërë deri tani është privatizim total i dështuar dhe një ekonomi e shkatërruar. Gjithashtu, ekziston edhe frika tek punëtorët se çfarë do të ndodhë me ta nesër”.
Sahit Sahiti, punëtor i PTK-së: “Sot po protestojmë siç kemi protestuar në vitin 1990, kur na nxorri Millosheviçi me dhunë. Sot duan të privatizojnë me forma tjera, të na nxjerrin nga puna me forma të tjera. Nuk është koha e duhur dhe nuk është momenti i duhur për privatizimin e PTK-së, sepse e kemi parë se çfarë ka ndodhur me privatizime tjera në Kosovë”.
Në bazë të pakos tenderuese të shpallur nga komisioni qeveritar për privatizim, të gjithë punëtorëve aktualë të PTK-së i garantohet vendi i punës për të paktën 3 vitet e ardhshme.
Por duket se punëtorët nuk janë të bindur, ndaj nënshkrimi i peticioneve kundër mënyrës së privatizimit të kompanive shtetërore do të vazhdojë deri të hënën. Deri më tani raportohet se janë grumbulluar mbi 50 mijë frima të qytetarëve të cilët kundërshtojnë proçesin e privatizimit.
Top Channel