Dita ndërkombëtare e mendimit pozitiv

13/09/2012 00:00

Mendimi pozitiv është një koncept i hershëm, por që vitet e fundit ka marrë një hapësirë të madhe në literaturën bashkëkohore.

Ne thelbin e këtij koncepti qendron ideja se permes një sjelljeje  pozitive ne vazhdimesi dhe optimizmit rritet niveli i kënaqësisë dhe i përmirësimit të cilësisë së jetës.

Studime të ndryshme theksojnë se fuqia e të menduarit pozitivisht është çelësi i suksesit dhe dështimit. Në shumë raste, besimi i njeriut ka thyer ligje të shkencës si përshembull në rastet e shërimit të sëmundjeve të pashërueshme.

Të dhënat tregojnë se njerëzit që mendojnë me optimizëm jetojnë një jetë më të shëndetshme. Për shembull, pinë më pak duhan,janë më aktivë fizikisht, konsumojmë më shumë fruta perime dhe më pak alkol. Studime të ndryshme konfirmojnë se optimizmi është i lidhur me mirëqënien psiklogjike.

Ekspertët thonë se duke i folur vetes në një mënyrë positive, për shembull, sic do i flisnim njerëzve tanë më të dashur, do kishim rezultate më të mira.

Dita e të menduarit pozitivisht është përcaktuar në vitin 2003 nga një sipërmarrës për të festuar dhe promovuar përftimet nga kjo lloj mënyre të menduari, pikërisht në 13 shtator.

Për të biseduar mbi mendimin pozitiv, në studiun e “Pasdites” në “Top-Channel”, ishte e pranishme Flutura Zhuta, e cila ka mposhtur me sukses dy herë vdekjen në betejën e saj me një tumor të avancuar, Fleura Shkëmbi, një hipnoterapiste dhe Deut Demaku, drejtues i Qendrës së Mendimit Pozitiv në Kosovë.

”Jam diagnostikuar dy herë me kancer dhe për koinçidencë, të dyja herët me pushime. Vendosa të përfundoj pushimet dhe më pas vendosa që të kurohem. Ishte një sëmundje e gjatë dhe e vështirë, por nuk e kam menduar kurrë vdekjen”, nisi rrëfimin e saj Zonja Zhuta.

”Sigurisht që sëmundja më ndryshoi jetën, ecja me shpejtësinë e një Ferrari dhe papritur frenova, por vazhdova gjithsesi udhëtimin tim. Isha me pushime dhe ndieva një masë të madhe. U shqetësova dhe ime motër gjithashtu, por vendosa të shijoj ato ditë dhe të nis të shqetësohem kur të kthehesha. Ishte dita e tretë e pushimeve dhe do të qëndroja atje dy javë, pra dhe dhjetë ditë të tëra. Si natyrë, kam një gjë që flas me mendjen time dhe thashë që me këtë do merrem kur të vijë momenti, unë kontrolloj vetë mendimet e mia”.

Një prej çelësave të mposhtjes së një sëmundje vdekjeprurëse si kanceri është pasja e një gjendje të përshtatshme psikologjike. Në studion e “Pasdites”, Zhuta vazhdoi rrëfimin e saj: “Kur u ktheva dhe u diagnostikova, e dija që diçka kisha. Shqetësimi ishte që ata që më rrethonin të mos ishin aq të shqetësuar, nuk doja të trishtoja të tjerët sepse vetë kam forcë dhe i mbaj vetë. Trishtimi tek të tjerët është gjëja që më shqetëson më shumë. Kisha një një masë të madhe dhe mjeku ishte i shqetësuar. Kanceri ishte i përhapur dhe jo i lokalizuar. Nuk i falja dot vetes që nuk e kisha kuptuar më herët, por mjeku më shpjegoi se ishte një lloj tumori që dilte në sipërfaqe të trupit vetëm pasi zhvillohej”.

Pas diagnostikimit, erdhi pjesa më e vështirë për atëherë 42-vjeçaren. “Erdhi kimioterapia e parë, tre séance. Më pas u operova, u pastrua gjoksi dhe pjesa jashtë, kimio tjetër ishte aq e fortë sa më shkatëroi, realizova radioterapi, por vazhdova jetën siç e kisha pasur. Nuk më thanë kurrë që u shërova, por që e kisha sëmundjen nën kontroll, por kur u largova me pushime tre muaj më pas, u zbuluan dy vatra të reja tumori në mushkëri. Gjithçka rinisi nga fillimi, pasi përfundova pushimet. Çelësi i suksesit tim ishte që jetoja momentin, shijoja lumturinë time dhe kjo ishte filozofia ime. Njeriu përpiqet të jetë pozitiv, jo gjithmonë ia del mbanë, por është e rëndësishme që gjithmonë të përpiqesh t’ia dalësh mbanë duke qenë pozitiv”.

Nga ana e tij, Daut Demaku, drejtuesi i Qendrës së Mendimit Pozitiv në Kosovë, gjithashtu gazetar dhe editorialist, shtoi: “Optimizmi është i lindur, por edhe i kultivuar. Të dyja ecin bashkë. Përvoja dhe fuqia e një njeriu shihet kur ballafaqohesh me vdekjen. A je pro apo kundër. Flutura ishte kundër sëmundjes, poli negative për të do të ishte shumë i rrezikshëm. Është si një njeri që mbjell një pimë dhe në qoftë se e pastron nga barërat e këqija, atëherë ajo rritet, ndërsa në rast se e lë ashtu, mbetet në vend. Kultivimi ka të bëjë me jetën njerëzore dhe përvojat tona. Fatkeqësia është se zakonisht kërkojmë ndihmë nga jeta në momentet e saj më dramatike. Do të ishte shumë më pozitive të stërvisnim veten që më parë në mënyrë graduale për t’u mësuar me mendimin pozitiv”.

Nga ana e saj, hipnoterapistja Fleura Shkëmbi shpjegoi vlerën e hipnozës dhe të mendimit pozitiv në përgjithësi. “Çfarë është hipnoterapia. Është një pyetje që më duhet një emision i tërë për ta shpjeguar, por ajo që dua të them është se përse hyjmë në hipnozë. Secili prej nesh ka disa valixhe nga e shkuara dhe qëllimi i hipnozës është t’i zëvendësosh këto valixhe me gjëra të tjera të ndryshme. E pavetëdijshmja nxjerr më të mirën nëpërmjet hipnozës, pasi ajo nuk pranon negociata apo mohim. Rastet klinike që kanë ndryshuar raportin me jetën pas trajtimeve që kanë pasur janë të shumta. Nuk vijnë vetëm për një traumë, por edhe për këndvështrim të ri të jetës”.

Top Channel