“iPhone 5” për të rimëkëmbur ekonominë amerikane?

12/09/2012 16:25

Lëshimi në treg i “iPhone 5” nuk po pritet me padurim vetëm nga të apasionuarit pas produkteve të “Apple”, por edhe nga vetë ekonomistët amerikanë.

Me brezin e ri të “iPhone” që do të dalë në shitje në SHBA ditën e mërkurë, ekonomistët parashikojnë që interesi për këtë celular të jetë aq i madh, sa që të ndihmojë për t’i dhënë një impuls rritje vetë ekonomisë më të madhe në botë, asaj të SHBA-së.

Sipas parashikimeve të kryeekonomistit të “J.P.Morgan”, Michael Feroli, shitjet e “iPhone” mund të ndikojnë në 0,25-0,5% rritje në tremujorin e katërt të vitit, duke ndikuar me një rritje të konsiderueshme vjetore të Prodhimit të Brendshëm Bruto me të paktën 0,1%.

”Në bazë të përllogaritjeve mesatare të tregut, shitjet e “iPhone 5” mund të shtojnë në buxhetin e shtetit 3,2 miliardë dollarë në tremujorin e fundit ose në total 12,8 miliardë dollarë në të gjithë vitin”, parashikoi Feroli.

Nëse ky parashikim do të rezultojë i vërtetë, kjo do të thotë se vetëm prej celularit të ri të prodhuar nga “Apple”, Shteti Amerikan do të përfitojë taksa vjetore sa gjysma e PBB-së vjetore të Shqipërisë apo 3-4 herë më të larta se buxheti ynë kombëtar.

Top Channel