Këshilla prindërve për ditët e para të shkollës

11/09/2012 18:30

Ata prindër që kanë një fëmijë në klasë të parë e kanë provuar në një farë mënyre se dhe vetë u duhet të ulen në një bangë që s’e kanë provuar gjatë jetës së tyre.

U duhet të mësojnë se si të sillen me një fëmijë që duhet t’ua lërë vendin e lodrave detyrave.

Laura Shuteriqi, drejtoreshë e shkollës Sabahudin Gabrani, mësuese e ciklit të ulët prej 36 vitesh, na ndihmon me disa keshilla.

Këshilla 1 – Përcillni emocione pozitive

Ndonjëherë janë prindërit më shumë të emocionuar se fëmijët duke anashkaluar faktin se ndjesitë e tyre lexohen nga të vegjlit.

Keshilla 2 – Bashkëpunoni me mësuesin

Takimet e herëpashershme dhe ndarja e shqetësimeve me mësuesin e ndihmojnë këtë të fundit ta njohë më mirë fëmijën.

Keshilla 3 – Mos kërkoni perfekten që në fillim

Rezultatet janë të rëndësishme, por jo që në hapat e parë. Duke e pyetur fëmijën për vlerësimet, e vëmë padashur nën presion.

Keshilla 4 – Jini inkurajues

Fillimisht është më shumë e rëndësishme që fëmija ta marrë me dëshirë të shkuarit në shkollë. Përpiquni që edhe të mësuarit të jetë një formë argëtimi.

Keshilla 5 – Caktoni një “kohë detyrash”

Këto janë disa nga këshillat kryesore për ata prindër që e kanë eksperiencë të parë futjen në shkollë të fëmijës së tyre. Shpesh thuhet se klasa e parë është përcaktuese për ecurinë e fëmijës, por kjo mos t’u kthehet në stres. Qetësia juaj do ta ndihmojë më shumë fëmijën tuaj. Merreni lehtë!

 

Top Channel