Katër orë në ditë për të shkuar në shkollë

11/09/2012 18:20

Këta fëmijë i dedikojnë, çdo ditë, minimumi katër orë shkollës. Nuk e kemi fjalën për studim, por vetëm për rrugë. Dy orë për të shkuar, e dy orë për të ardhur. Në një terren të thyer ku për të kaluar duhet të jesh një alpinist profesionist.

Kështu janë bërë fëmijët e fshatit Mal-Pjeç të Tiranës. Vetëm ata mund të ecin nëpër këtë shpat të thepisur ku rruga s’mund të quhet as shteg.

“Në dimër nuk shkojmë sepse bllokohet rruga nga bora. Në janar thuajse nuk shkojmë asnjë ditë. Për shkollën e mesme të shohim a do e vazhdoj, e kam shumë larg”, shprehet një vajzë.

Eduardi, e ka mbaruar prej 5 vitesh shkollën dhe kur kujton se këtë rrugë e bënte çdo ditë, ndjehet i çliruar: “Më duket si ëndërr që e kam bërë atë rrugë. Jam i lumtur që e kam mbaruar shkollën, më vjen keq për këta që e vazhdojnë. Vinim në darkë në shtëpi e nuk kishim kohë për të bërë mësimet”

Por në ditën e parë të shkollës, kjo rrugë nuk e zbeh gëzimin. Ditët e tjera, ai venitet ngadalë.

“Ditën e parë e kam me qejf, se pastaj të ikën qejfi nga rruga e gjatë”, thekson një vajzë.
 
Ata që mbeten me kokën pas, janë prindërit të cilët për ironi të fatit duhet të shohin vuajtjet e fëmijërisë së tyre që vazhdojnë të përsëriten edhe sot në vitin 2012.

Por sakrifica për shkollë nuk mbaron me fundin e arsimit të detyrueshëm. Këta fëmijë nëse duan të bëjnë gjimnaz duhet të dyfishojnë kohën e udhëtimit. Duhet të ecin 4 orë në këmbë. Ndaj dhe shumë prej tyre ndalen këtu.

Ndërsa Arditi nis këtë vit për herë të parë udhëtimin për në Mëner të Epërm. Ai është më i vogli i grupit: “E kam pak me frikë rrugën. Do të mundohem të shkoj çdo ditë në shkollë.”

Edhe urimi i prindërve ditën e parë të shkollës është i ndryshëm nga atyre që u bëhet zakonisht fëmijëve të tjerë: “Më thanë e mirë se rrëzohesh!”

Top Channel