Obama në “shtrëngimin e ariut”

10/09/2012 13:30

Një episod i rrallë ndodhi me Barack Obama gjatë vizitës së presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në një piceri në Florida në kuadër të fushatës elektorale.

Scott Van Duzer, pronari i Big Apple Pizza, duket qartë se për kë do të votojë në zgjedhjet e nëntorit pasi e tregoi shumë hapur dashurinë ndaj kreut të Shtëpisë së Bardhë.

Ai e ngriti nga toka presidentin aktual duke i dhënë një “përqafim ariu” para të gjithë klientëve.

Obama: Amerika nuk është në rënie

“Reçesioni i viteve të fundit ka qenë një tragjedi nga e cila duhet ende të marrim veten. Por Amerika nuk është në rënie. Kush e thotë këtë, gabon rëndë”.

Kështu ka deklaruar presidenti amerikan Barack Obama, në një fjalim në kolegjin St. Petersburg në Florida, një ndër shtetet më të ndjeshme për zgjedhjet presidenciale të 6 nëntorit. Ndërsa në fjalimin e zakonshëm të së shtunës, presidenti ka kujtuar atentatet e 11 shtatorit 2001, duke hapur një javë përkujtimesh në mbarë Shtetet e Bashkuara.

“Amerikanët kanë refuzuar të jetojnë me frikë dhe sot vendi ynë është më i fortë, më i sigurtë dhe më i respektuar në botë”, ka thënë Obama.

Në këtë mënyrë, presidenti u është përgjigjur deklaratave të rivalëve republikanë, të cilët e akuzojnë se në katër vitet e fundit ai ka dobësuar lidershipin amerikan.

Top Channel