Imazhet e reja nga Marsi të “Curiosity”

10/09/2012 16:25

Thuajse u bëmë familjarë me fotot e sipërfaqes së Marsit të dërguara në Tokë nga “Curiosity”. Por në imazhet e fundit të publikuara nga NASA, roboti tregon veten, e në sfond qendron sipërfaqja e “Planetit të Kuq”.

Imazhet e marra së fundmi janë marrë pak momente pasi inxhinierët e NASA-s dërguan komandën e pastrimit të objektivit të super aparatit fotografik që ishte ndotur nga pluhuri marsian. Ato kanë një cilësi më të mirë .

“Curiosity” është në ditën e 33 të misionit të tij në Mars. Ai u ul në sipërfaqen e “Planetit të Kuq” më 6 gusht e që prej asaj dite ka sjellë imazhe mahnitëse nga sipërfaqja e Marsit, por jo vetëm.

Misioni prej miliarda dollarësh i NASA-së është i pajisur me fjalën e fundit të teknologjisë në kërkimet hapësinore dhe agjencia amerikane shpreson shumë në marrjen e të dhënave për të analizuar përbërjen e shkëmbinjve marsianë.

E për të arritur qëllimin e tyre, inxhinierët e NASA-s aktivizuan MAHL-in, super-aparati që është në gjendje të fokusojë mini-objekte deri në 12.5 mikrometra, e thënë më thjeshtë, objekte me diametër më të vogël se sa ajo e qimes së flokut të një njeriu.

Aparati do të përdorë rrezet ultra-vjollcë me anë të të cilave shkencëtarët e NASA-s shpresojnë të diktojnë karbonate dhe minerale të tjera që do të dëshmojnë se dikur sipërfaqja e Marsit ka patur ujë.

Top Channel