Qeveria “zgjidh qesen” për SHISH

06/09/2012 00:00

Emërimi i Visho Ajazi Likës në krye të Shërbimit Informativ Shtetëror
pritet të hapë një kapitull të ri për këtë institucion të rëndësishëm të
sigurisë kombëtare.

Për herë të parë pas shumë viteve, Këshilli i Ministrave vendosi të akordojë pagesë shtesë për kompensimin e udhëtimeve të agjentëve, të cilat për arsye të ndryshme, iu duhet ta zhvillojnë veprimtarinë e tyre jashtë vendbanimit. Vendimi, i cili përcakton të ardhura të larta shtesë për të gjithë ata punonjës që punojnë në të tjera qytete, vjen në një ditë kur qeveria ka marrë një akt i cili vendos kushte strikte për sa i përket dietave dhe pagesave shtesë të punonjësve të administratës shqiptare. Me vendosjen e një njeriu të preferuar të Kryeministrit Berisha në drejtimin e SHISH, parashikohet që ky institucion të ketë një trajtim të veçantë financiar, pavarësisht rregullave strikte për shpenzimet që janë vendosur për pjesën tjetër të administratës shqiptare.

Përfitimet

Vendimi i fundit i Këshillit të Ministrave thekson në mënyrë të qartë se tashmë, punonjësit e SHISH do të kenë një pagë ekstra në muaj, në rast se ata kryejnë aktivitetin e tyre në një tjetër qytet. Duke e quajtur këtë shtesë, një kompensim për udhëtimin, qeveria vendosi të akordojë shuma nga 8 mijë lekë në muaj deri në 20 mijë nisur nga largësia ku kryhet shërbimi. “Kur punonjësi i Shërbimit Informativ të Shtetit, për nevoja të punës dhe interesa të shërbimit, caktohet jashtë vendbanimit të tij, përfiton pagesë për kompensim udhëtimi, 8 mijë lekë nga 36 deri në 60 kilometra, 10 mijë lekë nga 61 deri në 100 kilometra, 13 mijë nga 101 deri në 150 kilometra, 15 mijë lekë nga 151 deri në 200 kilometra dhe 20 mijë lekë në rast se distanca kalon 200 kilometra”, theksohet në vendim, sqaron “Shqip”. Më tej shtohet se përfitimi i kësaj pagese vazhdon deri në ndryshimin e vendbanimit të punonjësit të SHISH-it, që nënkupton sistemimin me banesë në territorin e juridiksionit të qendrës së punës, ku punonjësi është transferuar. Kjo pagesë do të përfitohet edhe nga punonjësit që janë aktualisht të transferuar, por jo nga punonjësit që emërohen për herë të parë në SHISH. Vendimi i qeverisë vijon me dokumentacion që punonjësit e SHISH duhet të dorëzojnë pranë Drejtorisë Juridike dhe Burimeve Njerëzore të institucionit për të përfituar pagesën.

Institucioni

SHISH, gjatë kohës së drejtimit të këtij institucioni nga ish- kryetari Bahri Shaqiri, ashtu si pjesa më e madhe e institucioneve në vend, kanë pasur pakënaqësi në buxhetin e akorduar nga Këshilli i Ministrave. Kanë qenë të shpeshta rastet kur ky institucion ka shfaqur kontestime për shkak të fondeve të pakta në dispozicion për kryerjen e punëve të tij, të ngarkuara me ligj. Kryesisht fondet e zvogëluara ndaj shërbimit inteligjent shqiptar kanë qenë jo vetëm ato të dietave apo shpenzimeve të karburantit, por edhe fondi i investimeve. Prej 4 vjetësh, ish-kreu i SHISH, në çdo fund vit kur miratohej buxheti, kërkonte shtesë të ardhurash për blerjen e pajisjeve moderne për të siguruar përgjimin dhe ndjekjen e informacionit. Vetëm dy vite më parë, një pajisje moderne përgjimi u ble nga qeveria për llogari të Shërbimit Informativ të Ushtrisë, për të cilin opozita akuzoi ministrin e Mbrojtjes, Arben Imami, se ka urdhëruar përgjimin e deputetëve të opozitës dhe diplomatë të rëndësishëm në Shqipëri. Por tashmë, me vendosjen e Visho Ajazi Likës në krye të këtij institucioni, nga ana e qeverisë pritet që të këtë një politikë të re ndaj këtij institucioni. E njëjta logjikë është ndjekur dhe në rastin e Presidencës si institucion. Me vendosjen e Bujar Nishanit në krye të këtij institucioni, disa fonde shtesë u akorduan jo vetëm për banimin e kreut të ri të shtetit, por edhe për pagën e tij. Aktualisht vendi është duke përjetuar pasojat e krizës financiare dhe shërbimet operative po zvogëlohen gjithnjë e më shumë në administratën publike.

Top Channel