Ish-piloti i Formulës 1 kampion paraolimpik

06/09/2012 16:40

Medalja e artë në çiklizmin paraolimpik në Londër 2012 ishte podiumi më i ëmbël në jetën e Alex Zanardit, ish-piloti i Formulës 1 që ka gjetur tashmë një arsye të re për të jetuar.

Italiani, ish-pilot i Benetonit, Xhordanit dhe Uilliamsit në Formulën 1, pësoi një aksident të frikshëm në vitin 2001, gjatë një gare shpejtësie të një disipline të ngjashme me atë të Formulës 1.

Atehërë 34-vjeçar dhe drejt fundit të karrierës, Zanardit iu desh të luftonte për disa javë për jetën e tij në një spital, por mjekët mundën ta shpëtonin vetëm me një kosto tepër të lartë… ata u detyruan t’i prisnin të dyja këmbët tejet të dëmtuara.

Një vit më pas, Zanardi u rikthye në një tjetër makinë shpejtësie të modifikuar për t’i dhënë pa këmbë, por tashmë garat e shpejtësisë nuk ishin më tërheqëse për të dhe italiani vendosi t’i përkushtohej një karriere të re, asaj të çiklizmit, në biçikletat e posaçme për invalidët, të pedalueshme me dorë.

Pas vitesh punë të lodhshme, ditën e mërkurë, Zanardi e bëri edhe më të pabesueshme historinë e jetës së tij të rrallë, duke u shndërruar në kampion olimpik në garën e kronometrit të 16 kilometrave çiklizëm, duke lënë me distancë pas rivalin gjerman Mosandl dhe amerikanin Sanchez.

”Kjo është një arritje e madhe, më e madhja në të gjithë jetën time. Vetëm unë e di se sa shumë kam punuar për të mbërritur deri këtu. Një sukses i tillë në moshën 45-vjeçare është me të vërtetë diçka e rrallë”, u shpreh Zanardi pas suksesit.

”Ndihem jashtëzakonisht mirë. Jam thellësisht i lumtur për këtë rezultat. Ky moment më sjell edhe pak trishtim për atë që kam lënë pas, por më bën të ndihem veçanërisht krenar për gjithçka kam arritur në jetën time”, shtoi 45-vjeçari.

”Kur arrin të gjesh horizontin e përshtatshëm në jetë, çdo ditë të shtyn një pasion i ri dhe çdo moment është edhe më i lumtur se i mëpërparshmi. Kështu ndihem tani. Tashmë, do t’i jap vetes një javë kohë të relaksohem, të pushoj dhe të bëj pazare. Pastaj, rifillon stërvitja”, shtoi kampioni.

Top Channel