Vitaminat dhe suplementet ushqimorë

05/09/2012 19:05

Vitaminat, si një pjesë thelbësore dhe e domosdoshme e dietës sonë, u vendoën në qendër të vëmendjes së emisionit të “Pasdites” ditën e mërkurë, ku mjekë dhe ekspertë ushqimorë dhanë këshillat e tyre mbi dietën që duhet të ndjekim dhe mënyrën se si duhet të ushqehemi.

Ekspertja e Institutit të Shëndetit Publike, Daniela Nika, mjeku sportive Lluka Heqimi dhe instruktori fizik dhe një prej importuesve kryesorë të suplementeve në Shqipëri, Rudin Tugu, shprehën pikëpamjet e tyre dhe dhanë këshilla të dobishme për publikun.

I pari që nisi bisedën ishte mjeku Heqimi, i cili “tha se pavarësisht ndërgjegjes mbi dobinë e vitaminave, mosdija dhe pamundësitë ekonomike bëjnë që njerëzit të mbeten përgjithësisht të kequshqyer”.

“Unë mendoj që njeriu përpiqet të marë vitiminat, por nuk i merr gjithmonë sepse kjo lidhet edhe me anën ekonomike dhe njohjen e problemit. Një pjesë e mirë e njerëzve ushqehen keq dhe meqë jam marrë me mjekësinë sportive, do t’iu thoja diçka të rëndësishme që ka lidhje me një njeri që merret me aktivitet fizik. Antioksidantët, kaq të domosdoshëm, përfshijnë midis tyre tre vitamina klasike, karoteni ose vitamina A, tokoferoli ose vitamina E dhe vitamina C, shumë e pasur me antioksidentatë. Në fundmi, tek seleniumi është zbuluar së fundmi një raport interesant me vitaminën e, pasi e ndihmon të përthithet dhe kjo vitaminë është pa diskutim mbretëresha e antioksidenatvëe”, nisi shpjegimin e tij Heqimi.

Sipas mjekut, ndonëse suplementët nuk mund të krahasohen me vetitë natyrale të vitaminave, ato janë të këshillueshëm, sidomos për personat me aktivitet të madh fizik si sportistët. “Në aktivitetet fizike na shtohen korpuskujt e lirë, që janë të dëmshëm në trupin tonë. Ai që i zbuloi se oksigjeni mund të dëmtonte ishte një prift kimist, i quajtur Prisli dhe fjalët e tij janë të sakta edhe në ditët e sotme. Trupat e lirë duhet t’i luftojmë me antioksidanantë. Me aktivitet sportive, mekanizmi rritet kundër këtyre kundërshtarëve, por asnjëherë nuk kemi nivel të barabartë dhe gjithmonë ka trupa të lirë më shumë. Prandaj, mënyra artificiale mund të sjellë gjithsesi efekte pozitive. Unë jam pro përdorimit të suplementëve ushqimorë ku futen antioksidantët. Bota perëndimore i merr ato, bëhet fjalë vitamina të prodhuara dhe që shiten në treg”.

Në ndërhyrjen e saj, specialistja Nika mbështeti atë që u tha më parë në studio prej mjekut sportiv, por theksoi se asnjëherë nuk duhet të vendoset përparësi tek suplementet dhe se në çdo rast është e rëndësishme që nevojat ushqimore të përpiqet të sigurohen në mënyrë natyrale. “Jam dakord me profesorin, por vitaminat e mineralet janë përbërës esencialë për rritjen dhe zhvillimin e një individi dhe është mirë që të shtohen njohuritë dhe të dimë ku gjenden e t’i shtojmë në dietën tonë fruta, perime e drithëra sa më të patrajtuar. Ndaj njerëzit duhet të konsumojnë sasi të mjaftueshme të këtyre përbërse. Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandon minimumi 400 gramë fruta në ditë dhe kjo është një sasi lehtësisht e konsumueshme. Një frut paradita, një perim gjatë drekës dhe një frut a sallatë në darkë. Për shumicën e njerëzve, kjo do të ishte e mjaftueshme, por pastaj jam dakord me profesorin kur thotë se një sportist, një grua shtatzanë, një grua në gji apo një i moshuar, mund të ketë nevojë për suplemente të caktuara, ashtu siç mund të kenë nevojë për vitaminë D. gratë që mbulohen me perçe, të cilët nuk përthithin mirë vitaminën D. si pasojë e mosekspozivimit të mjaftueshëm nga dielli apo suplemente të tjerë të lidhur me ngjyrën e lëkurës”.

E pyetur për cilësinë e ushqimit të shqiptarëve, ekspertja e ISHP-së u përgjigj se: “mendimi im personal është se në përgjithësi ushqehemi mirë, në sensin që ushqehemi me variacione, por kemi një problem me sasinë që marrim. Një nga problemet më evidente është që hamë pak fruta e perime, sidomos në zonat e vendit ku ka pak fruta prej klimës e terrenit, mungon prania e frutave e perimeve në një pjesë të mirë të vitit”.

Një instruktor fizik dhe importues suplementesh, Rudin Tugu, nga studio theksoi se është mirë që të çmohet rëndësia e suplementëve. “Është mëse normale që të marrësh suplemente, edhe sepse në jetën moderne nuk mund të ushqehesh çdo ditë mirë dhe shumë prej nesh, gërshetojmë dieta të mira me ushqime të shpejta për arsye të punës. Suplementet janë gjithashtu shumë të domosdoshme gjatë dietave për dobësim, kur numri i vitaminave të marra bie ndjeshëm apo kur ushqehemi për një kohë të gjatë me një lloj të vetëm ushqimi”.

Tugu shtoi se e konsideron normale që brenda sasive të arsyeshme, të gjithë, përfshi edhe fëmijët, të marrin suplemente të ndryshme vitaminozë dhe ushqimorë. Megjithatë, një vlerësim i tillë nuk u nda prej dy ekspertëve, me Zonjën Nika që tha: “Vitamina natyrale është më e fisshme dhe efektive, ndërsa sintetikja ka mangësi. Përshembull, molla ka shumë vitaminë C. dhe acidi askorbik është vitamina C. e sintetizuar. Të dyja kanë veti antioksiduese, por molla ka edhe veti të tjera më të mira që suplementi nuk i ka. Është shumë e rëndësishme marrja e vitaminave nëpërmjet ushqimit në mënyrë natyrale. Studimet tregojnë se një pjesë e mirë e integruesve ushqimorë, një pjesë janë me bazë natyrore, por ka edhe të sintetizuar. Duhet lexuar etiketa dhe kuptuar mbase më shumë për cilësitë e asaj që marrim. Në laboratorë, është parë se shtohen gjithashtu struktura të tjera, të cilat i bëjnë vitaminat më kristalore dhe i ndryshojnë vetitë e tyre bazë”.

Në fund të debatit, Nika shpjegoi për publikun edhe atë që do të ndodhë së shpejti, me vendimin e marrë për pasurimin e miellit me përbërës të tjerë. “Studimi i ISHP-së arriti në përfundimin se në popullatë kemi nivelë të lartë të anemisë. 19% e Shqipërisë është anemike prej mungesës së hekurit që nuk marrm dhe normalisht në shëndetin publik. Një përqindje e tillë e bën që anemia të konsiderohet një problem madhor i shëndetit publik. Për këtë arsye, biseduam me ekspertët dhe pyetëm se cilat janë substancat që mund t’i shtohen miellit, që është një vektor që shpërndahet lehtësisht në të gjithë popullsinë. Arritëm në përfundimin se substancat që duhet të shtohen janë hekuri, vitamina B12 dhe acidi folik”, përfundoi Nika.

Top Channel