Spanjë, demat rikthehen në televizor

05/09/2012 16:25

Televizioni Publik Spanjoll do të transmetojë të mërkurën një ndeshje demash për herë të parë pas gjashtë vitesh, pasi qeveria e kryeministrit konservator Mariano Rajoy rrëzoi një ligj që ndalonte transmetimin e këtij aktiviteti tradicional.

TVE do të transmetojë në mbrëmje duelin e torreadorëve në arenën e qytetit verior të Valadolidit, në atë që pritet të jetë një prej shfaqjeve më të ndjekura të mbrëmjes.

Transmetimet ishin ndaluar me argumentin se ato ishin një shfaqje e papërshtatshme dhune dhe se transmetoheshin në orare në të cilat mund të shiheshin prej fëmijëve.

Si rrjedhojë e luftës së aktivistëve për mbrojtjen e kafshëve, ndienjat kundër kësaj tradite shekullore janë forcuar, me Katalonjën që u shndërrua në krahinën e parë spanjolle që nxorri jashtë ligjit sportin e përgjakshëm.

Ligjvënësit e qeverisë lokale të Barcelonës votuan pro heqjes së luftës së demave në krahinën e tyre, pasi 180 mijë persona firmosën peticionin e një organizate civile.

Megjithatë, kjo nismë nuk ka mbështetjen e kryeministerit Rajoy, që është deklaruar si një përkrahës i luftës së demave, të cilësuar prej tij si “një traditë 4 mijë vjeçare, e rrënjosur thellë në historinë, kulturën, traditën dhe ndërgjegjen e kombit”.

Top Channel