“Ringritja” e kampit të përqendrimit

05/09/2012 17:10

Planet për të ngritur një kremator modern pranë dhomave të gazit të një kampi të dikurshëm përqendrimi në Poloni kanë ngjallur një reagim të ashpër të shoqatave hebreje nëpër botë.

Sipas këtyre shoqatave, planet e Bashkisë së Lublinit, në lindje të Polonisë, janë “cinike dhe të dënueshme”, pasi ato ofendojnë kujtimin e mbi 80 mijë të vdekurve të kampit të Majdanekut.

Një qendër pune dhe asgjesimi, Majdaneku u pushtua nga ushtria sovjetike pothuajse i paprekur, duke qenë edhe sot një dëshmi e qartë e kampeve të dikurshme të vdekjes.

Në qendrën në fjalë, dhomat e gazit, krematorët dhe barakat ku vendoseshin të burgosurit janë ende të lëna si në gjendjen e tyre fillestare, duke bërë që Majdaneku të vizitohet nga dhjetëra mijëra turistë çdo vit.

Megjithatë, Lublini synon të ndërtojë krematorin e parë funksional të rajonit, për t’i shërbyer banorëve të qytetit në ceremonitë mortore, fare pranë kampit.

“Nëse njerëzit do të shikojnë tym duke dalë nga oxhaqet e krematorit do të mendojnë se është duke ardhur nga Majdaneku. Nuk mund të ndërtohet diçka e tillë kaq pranë kësaj toke, që i mori jetën me dhjetëra mijëra hebrenjve”, deklaroi Roman Litman, drejtues i komunitetit hebre në Lublin.

Megjithatë, sipas kryebashkiakut Krzystof Zuk, një largësi prej 500 metrash është e mjaftueshme për të lejuar strukturën e re që të punojë në mënyrë autonome, pa u lidhur me Majdanekun dhe pa i shkaktuar asnjë mungesë respektimi viktimave të këtij kampi.

Disa banorë vendas kanë dalë në mbështetje të planit të autoriteteve vendore, duke thënë se duan të ndahen përgjithmonë nga e kaluara e nazismit dhe të jetojnë në ditët moderne në një “qytet normal”.

Top Channel