“Notoj me një peshkaqen nga pas”

04/09/2012 17:35

Një notar paraolimpik tregoi se përdor një motivim të veçantë për të qenë i shpejtë… imagjinon sikur vazhdon të ndiqet nga peshkaqeni i bardhë që i këputi një këmbë 6 vjet më parë.

Achmat Hassiem u përball me peshkaqenin për të shpëtuar vëllain e tij të vogël ndërsa po notonte pranë brigjeve të Kejp Taunit, në Afrikën e Jugut.

Pasi humbi gjymtyrën, ai vendosi që të merrej me disa sporte, përfshi not, por nuk ishte i sigurt se çfarë do të bënte deri kur kampionia paraolimpike afrikanojugore, Natalie du Toit, e inkurajoi të përkushtohej në pishinë.

Brenda pak kohe, 30-vjeçari Hassiem nisi të thyente rekordet paraolimpike të vendit të tij dhe pasi një vendi të nëntë në Pekin, arriti të fitonte medaljen e bronxit, ditën e hënë, në 100 metra stil flutur.

”Futem në pishinë duke menduar se kam pas një peshkaqen”, deklaroi notari. “Suksesi im qëndron në faktin që imagjinoj peshkaqenin e bardhë katër metra e gjysmë që më gllabëroi këmbën duke më ndjekur pas. Pa dyshim, është një motivim i shkëlqyer për të notuar shpejt”.

Në vitin 2006, një hero për atë që bën në pishinë, Hassiem u shndërrua papritur në një hero gjithashtu në jetën reale.

Ai dhe i vëllai i vogël, Taariq, ishin duke notuar në Kejp Taun, kur nga varka ku ndodheshin, notari paraolimpik diktoi një peshkaqen duke iu afruar të vëllait.

Pasi thirri që të ngjitej menjëherë në varkë, në përpjekje për t’i shpëtuar jetën, Hassiem u hodh vetë në ujë për t’i tërhequr vëmendjen përbindëshit, por nuk mundi të ngjitej në kohë në varkë dhe peshkaqeni e kafshoi dhe e tërhoqi për rreth 50 metra, përpara se ta lëshonte përsëri.

Pasi doli mbi ujë pa këmbë, Hassiem u dërgua me urgjencë në një spital, kur arriti të fitonte betejën me vdekjen.

”Mendoj se humba këmbën për një arsye të mirë. Një këmbë nuk është asgjë përpara një vëllai”, shprehet me çiltërsi 30-vjeçari, i cili gati gati beson se incidenti që i ndodhi ishte një bekim, pasi tani noti dhe motivimi i garave paraolimpike i kanë dhënë një arsye të re për të jetuar.

Top Channel