80 krushq për të marrë nusen

04/09/2012 18:20

“Ne  shkuam 80 veta. Është e vërtetë që është jashtë çdo norme, por më mirë të mos i ngelej hatri askujt. Krushkut i kishim thënë që do vinim shumë, por në fakt ai nuk e priste që do të shkonim një numër kaq i madh.”

Ky është Besim Zhllima, një nga tiransit e vjetër që vetëm para disa javësh ka martuar djalin e tij të vetëm, Klevisin.

Sipas traditës, tre krushqit e parë kanë funksione dhe detyra të përcaktuara. Krushku i parë duhej të ishte i pushkës sepse ishte përgjegjës për nusen. Krushku i dytë duhej të ishte i lekut që të plotësonte çdo kërkesë të krushqve nga ana e nuses. Krushku i tretë duhej të ishte njeri “i muhabetit dhe kuvendit”. Krushku i katërt dhe i pestë ishte përgjegjës dhe shoqëronte nusen në kalin e bardhë. Kurse krushku i shtatë dhe i tetë duhej të ishin të këngës.

“Si traditë ne e kemi që niset më i vjetri nga fisi. Unë nisa vëllain e madh sepse nuk e kam babanë, dajën e djalit, vetë e më pas të tjerët”, tregon Besimi.

Klevisi dhe Maltina janë çifti i sapomartuar, të cilëve ditën e dasmës iu është bërë një surprizë: “I thashë të dyve që në darkë të vishnin kostumin kombëtar. Hyrja u bë me kostum kombëtar dhe jo me fustan të bardhë si zakonisht.”

Por ja si e priti çifti dhuratën e kryetarit të dasmës.

“Ishte diçka e veçantë, e mora vesh një ora para dasme”, shprehet Klevisi.

Ndërsa Maltina tregon: “U habita shumë dhe nuk e imagjonoja dot veten me një kostum të tillë. Ishte emocion shumë i madh.”

Cdo dasmë është e vecantë në llojin dhe stilin që nusja e dhëndri e kanë organizuar. Dikur ka pasur dasma tradicionale, më vonë shumë të rinj dëshironin të kishin dasmë moderne, pse jo edhe të personalizuar. Kurse në ditët e sotme janë të shumtë ata që kërkojnë një gërshetim të traditës me modernen.  

Top Channel