Seul, ndërron jetë profeti i vetëshpallur

03/09/2012 16:10

I vetëshpallur profet dhe udhëheqësi i Kishës së Bashkimit, Sun Myung Moon, ndërroi jetë ditën e hënë në moshën 92-vjeçare.

Praktikat e tij fetare ishin bërë të famshme nëpërmjet ceremonive masive të martesave, në të cilat me mijëra çifte lidheshin në martesë njëkohësisht, ndonëse nuk e njihnin njëri-tjetrin, pas një kombinimi të bërë nga kisha.

Sipas Moon, kombinimi i bazuar në kritere të panjohura për publikun ishte një garanci për një martesë të shëndetshme.

Myung Moon pretendonte se me miliona persona ishin anëtarë të kishës së tij në të gjithë botën, por kritikët nuk rreshtën së e akuzuari për “shpëlarje” të trurit dhe përfitim nga profetizimet e rreme.

Kisha me qendër në Seul, kryeqyteti i Koresë së Jugut, ka disa dhjetëra besimtarë edhe në vendin tonë.

Moon ndërtoi gjatë jetës së tij një perandori ekonomike, duke ngritur gazeta, fabrika armatimi, universitete dhe menca e kompani ushqimore.

92-vjeçari vuante prej dy javësh prej pneumonisë. Një zi 13-ditore u shpall nga Kisha e Bashkimit, ndërsa funerali i tij u programua në 15 shtator.

”Ai ishte babai unë dhe një profet i dërguar nga Perandia. Trupi i tij u krijua posaçërisht nga Zoti, prandaj shpresonim që do të jetonte përtej një shekulli”, deklaroi ndihmësi i tij, Bo Hi Pak, për gazetarët.

Djali më i ri i Moon, Hyung-jin Moon, është shndërruar në pasardhësin e tij në krye të kishës.

I lindur në Korenë e Veriut, Moon gjithmonë pretendoi se në moshën 15-vjeçare i erdhi frymëzimi hyjnor dhe se që prej atëherë fliste me Zotin.

Top Channel