Atleti iranian refuzon dorën e Princeshës

03/09/2012 16:30

Një atlet paraolimpik iranian refuzoi që të shtrëngonte duart me Princeshën Kate Middleton, pasi iu dorëzua medalja e argjentë në hedhje disku.

Mehrdad Karem Zadeh justifikoi më pas sjelljen e tij me “traditat kulturore të vendit të tij’, ku konsiderohet një fyerje dhënia e dorës një gruaje të martuar.

Megjithatë, Dukesha e Kembrixhit i kurseu vetes një situatë të sikletshme, pasi ishte njoftuar më parë për këtë traditë dhe nuk i ofroi dorën konkurrentit 40-vjeçar, ndryshe nga sa bëri me britanikun Aled Davies, fitues të medaljes së artë dhe kinezin Lezehng Wang, i renditur i treti.

Delegacioni Iranian në Londër nuk komentoi ngjarjen në shtypin anglez, por një zyrtar brenda delegacionit specifikoi se sjellja e hedhësit të diskut nuk ishte një “manifestim politik”.

Top Channel