Kanada, misteri i vjedhjes së shurupit

02/09/2012 16:40

Sasia e saktë nuk dihet akoma, por çudia e gjestit të tyre, mbetet.

Nga Quebec-u i Kanadasë mbërrin një lajm befasues mbi një vjedhje aspak të zakontë: nuk bëhet fjalë për para, bizhuteri apo vepra arti.

Grabitja që la pa fjalë provincën ishte ajo e shurupit të panjës në një magazinë në periferi. Për të mos rënë në sy mungesa e shurupit, hajdutët janë treguar të kujdesshëm të mbulojnë vendin e të zhdukin gjurmët.

Magazina e grabitur mbante një sasi shurupi me vlerë më shumë se 30 milionë dollarë. Sesa është marrë prej tij ende nuk është bërë e qartë. Vjedhja e ndodhur këto ditët e fundit u zbulua gjatë një kontrolli rutinë.

Anne-Marie Granger Godbout, e Federatës së Prodhuesve të Shurupit, deklaroi: “Cdo produkt i cilësisë së lartë ka imitime dhe treg të zi. Ata që e morën padyshim e kanë pasur një motiv. Ndoshta kanë gjetur edhe blerësin dhe kjo është shumë e dëmshme për industrinë.”

Shumë fuçi të magazinës janë zbrazur nga përmbajtja e tyre e ëmbël, ndërsa të tjerat do të peshohen e do të kontrollohen për të parë se mos shurupi brenda është përzjerë me diçka tjetër. Depoja e ndodhur 160 km në veri të Montrealit është një prej disa vendeve ku shurupi i famshëm i Quebec-ut ruhet përpara se të dalë në shitje.

I gjithë shurupi në zotërimin e Federatës së Prodhuesve të Quebec-ut është i siguruar dhe agjensia mban rezerva që konsiderohen të një rëndësie globale.

Top Channel