Vatrat e zjarrit nëpër pjesë të ndryshme të Kosovës kanë qenë prezente edhe gjatë ditës së shtunë. Sipas zyrtarëve të emergjencave, gjendja paraqitet më e qetë krahasuar me ditët e kaluara.

Zjarrfikësit gjatë kësaj vere kanë pasur punë më shumë se zakonisht. Në disa raste është paraqitur edhe nevoja e ndërhyrjes së Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Ditëve të fundit, zjarret janë paraqitur edhe në komunën e Prishtinës, por sipas shërbimit të zjarrfikësve, pas ndërhyrjes ato janë shuar.

“Ka pasur më shumë zjarre se zakonisht, si për shembull ai në Kolovicë. U desh më shumë impenjim dhe mbrëmë është fikur zjarri në këtë fshat. Për momentin në rajonin e Prishtinës nuk ka asnjë zjarr”, thotë Blerim Gashi nga Shërbimi i Zjarrfikësve të Prishtinës.

Në lidhje me situatën e krijuar pas zjarreve ka reaguar edhe lëvizja Vetëvendosje, e cila ka kritikuar institucionet përgjegjëse për neglizhencë në tejkalimin e kësaj gjendjeje.

“Për pyjet, e tërë vera ishte zjarr dhe tërë pjesa tjetër e vitit prerje. Prerje në vendet ku kishte pasur zjarre në vitin e kaluar dhe zjarre në vendet ku do të ketë prerje të reja. Cikël ky që ishte i pranishëm në pyjet e Bjeshkëve të Namuna, më së shumti në komunën e Deçanit. Dukuri e cila aktualisht rrezikon edhe Sharrin, me orientim nga Koritniku. Në këto dy zona gjenden pyjet më cilësore të Kosovës, që janë të dominuar nga bredhi, por edhe nga specia e rrallë e Rrobullit”, ka deklaruar Liburn Aliu, deputet i VV.

Sipas Vetëvendosjes, mbi 3 mijë hektarë pyje janë dëmtuar nga zjarret. Lëvizja ka kritikuar edhe ministrin e Brendshëm Bajram Rexhepi, për deklaratën e para disa ditëve kur tha se situata është shqetësuese por jo katastrofike.

Pas kritikave të Vetëvendosjes për neglizhencë të institucioneve është përgjigjur vetë minsitri Rexhepi, i cili nëpërmjet telefonit ka thënë se institucionet e nivelit qëndror dhe lokal janë angazhuar maksimalisht.

Rexhepi ka thënë se Vetëvendosje duhet të lexojë planin e reagimit kombëtar dhe emergjent për të kuptuar se kur shpallet gjendja e jashtëzakonshme, kur thirret Këshilli i Sigurisë Kombëtare, t’i mësojnë këto gjëra dhe pastaj të akuzojnë.

Rexhepi ka përseritur se situata është shqetësuese dhe me dëme, por jo katastrofike, ndërsa ka përmendur se edhe shtete të tjera të Europës, që janë shumë më të zhvilluara, po përballen me situata të njëjta.

Top Channel