Nuk ka vend për koleksionistët

29/08/2012 20:15

Pas përpjekjeve dhe kërkesave të njëpasnjëshme pranë institucioneve shtetërore për të siguruar stendat e nevojshme që do të benin të mundur ekspozimin e objekteve të veçanta ne koleksionet e tyre, Shoqata e Koleksionisteve Shqiptarë ka vendosur të tërhiqet nga hapja e një ekspozite me rastin jubilar të 100-vjetorit të pavarëisë.

“Nuk mendoj se mund të ketë një ekspozitë më interëesante për shikuesin e Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, pasi ne do të ekspozonim vlerat e kulturës shqiptare në 100 vjet dhe pjesë të rëndësishme të kulturës së kësaj periudhe. Për një farë kohe kemi pasur një korrespondencë të gjatë me Ministrinë e Kulturës, fatkeqësisht një korrespondencë e njëanshme. Ne kemi dërguar disa letra të njëpasnjëshme, me kërkesë që të bliheshin stendat e nevojshme për publikimin e koleksioneve tona, por ministri nuk e mori mundimin që të kthente një përgjigje”, deklaroi Bajram Peçi, kryetar i shoqatës së Koleksionistëve Shqiptarë.

Shoqata e koleksionisteve do të servirte për publikun një pjesë të rëndësishme të kulturës shqiptare, e cila shfaqet në filateli, medalistike dhe numizmatikë.

Për rreth 20 vjet me radhë, koleksionistët shqiptarë kanë përfaqësuar denjësisht vendin tonë në ekspozita të ndryshme në mbare botën, ku kanë fituar edhe çmime.

Por, nuk kanë arritur të hapin një ekspozitë të mirëfilltë në Shqipëri, duke u detyruar t’i ekspozojnë objektet e tyre shpesh delikate në mënyra jo të pershtatshme. Dhe kjo për mungesë të stendave.

Top Channel