Babai që vesh fustan për t’u solidarizuar me të birin

29/08/2012 16:25

Të mbështesin fëmijët dhe të japin shembullin e mirë, është ndër detyrat kryesore të një prindi. Duke ndjekur këtë parim, Nils Pickert vendosi të veshë një fustan, në shenjë solidariteti me të birin, që preferon të veshë fustanet përpara pantallonave.

Pickert dhe djali i tij 5-vjeçar janë fotografuar rrugëve të Gjermanisë dhe prindi duket i vendosur për të mbështetur fëmijën e tij në zgjedhjet që bën. “Në fund të fundit, fustani nuk është se më rri dhe fort keq”, thotë me shaka ai.

“Im bir preferon të veshë rroba femrash, e kështu veprova edhe unë për t’u solidarizuar me të”, deklaron Nils, i shpërngulur nga Berlini në një qytezë të vogël shumë tradicionale në jug të Gjermanisë.

Rasti në fjalë ka ndezur debate në opinionin publik gjerman, që është ndarë pro dhe kundër këtij gjesti.

“Jam një prind që synoj të edukoj fëmijën tim me barazinë gjinore. S’jam një pseudo-akademik që me studimet e tyre trumpetojnë me të madhe barazinë gjinore, por në momentin që bëhen prindër, mendojnë vetëm për karrierën, ndërsa bashkëshortja kujdeset për gjithcka dhe debati rikthehet tek klishetë tradicionale”, thotë ai.

Megjithatë, mbetet për t’u përcaktuar nëse Nils ka bërë zgjedhjen e duhur me këtë gjest për edukimin e djalit 5-vjeçar.

Top Channel