Avari në robotin amerikan në Mars

22/08/2012 03:15

Misioni “Curiosity” i NASA-s në Mars pësoi zhgënjimin e tij të parë, pasi një avari u verifikua në robotin që ndodhet në Planetin e Kuq për eksplorime.

Mediat amerikane raportuan në orët e para të së martës se një problem në qarkun e sensorëve ka reduktuar ndjeshëm aftësinë e robotit për të matur shpejtësinë e erës dhe të dhëna të tjera atmosferike.

Megjithatë, një dëmtim i tillë për momentin vetëm sa privon misionin nga disa të dhëna shtesë, por nuk vendos në rrezik objektivat dhe qëllimet përse “Coriosity” u dërgua në Mars.

Nuk është e qartë se si ndodhi avaria, por ekspertët e NASA-s besojnë se era ngriti disa gurë që goditën strukturën e sondës, duke e dëmtuar atë pikërisht në pjesën e sensorëve.

Në një komunikatë, NASA e konsideroi ngjarjen si një “zhgënjim të izoluar”, pas një starti spektakolar të misionit.

Aktualisht, me robotin është duke u punuar për të rikuperuar sa më shumë funksionalitet që të jetë e mundur.

Top Channel