Jetojmë në ditë kur pamja e parë merr gjithmonë e më shumë rëndësi, përvec kohës e mundit. Flokët keq apo veshja jo e duhur ndikojnë në atë se si të tjerët na shohin.

Por pikërisht kësaj tendence u është kundërvënë një nismë e pagëzuar me emrin “Mirror Fasting” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Bëhet fjalë për të jetuar pa parë veten në pasqyrë për 30 ditë me radhë, një ide e lindur dhe e zbatuar fillimisht nga Autumn Whitefield-Madrano, një vajzë amerikane që pretendon se kjo është një mënyrë e mirë për t’u ndjerë rehat me veten.

Vajza amerikane tregoi eksperiencën e saj të rrallë për një blog në internet dhe menjëherë u shndërrua në një fenomen interesant, me qindra persona të gatshëm ta provonin këtë eksperiencë.

Sigurisht tendenca për t’u dukur bukur e tërheqës/e shpjegohet lehtësisht në një shoqëri që gjithmonë e më shumë po i jep rëndësi pamjes së parë. Por të shmangesh pasqyrën, thotë amerikania Autumn, të ndihmon të bësh paqe me veten dhe kjo është një këshillë e mirë, sidomos për ato vajza që harxhojnë orë të tëra para reflektimit të tyre.

Në fakt “terapia” e amerikanes legjitimohet nga një studim britanik i vitit të kaluar ku rezultoi se femrat angleze shiheshin para pasqyrës mesatarisht 38 herë në ditë, e meshkujt jo më pak, plot 18 herë. Studimi doli në përfundimin se 3 në 10 britanikë kishin krijuar “varësi” nga pasqyra dhe nuk ndjeheshin rehat po të mos kishin një pasqyrë a ndonjë mjet tjetër për të parë reflektimin e tyre, sidomos kur bëhej fjalë takimi me shoqëri të re.

Top Channel