Ilir Yzeiri – Vrasjet e këtyre kohëve të fundit dhe imazhi që ato kanë prodhuar, duhet të na bindin se brenda nesh është riaktivizuar si kurrë më parë instinkti i eliminimit fizik të kundërshtarit, si në rastin kur ai është i ndryshëm nga ne, si atëherë kur ai është i njëjtë me gjakun tonë.

Shqiptarët nuk pranojnë t’i zgjidhin problemet apo mosmarrëveshjet e tyre me anë të ligjërimit, pra, duke biseduar. Ata duket se vërtetojnë kështu hipotezën e pragmatistëve të gjuhës, të cilët, kur përpiqen të gjejnë nëse gjuha e ka formësuar mendërisht njeriun apo modelet mendore kanë formësuar gjuhën, arrijnë në përfundimin se gjuha, të folurit, ligjërimi, megjithatë nuk e zbuti njeriun, por e la të vrazhdë dhe vrasës. Po të bëjmë një vështrim të shpejtë, që nga vrasjet në Pukë, te babai që hodhi fëmijën nga materniteti, te burri që theri me thikë gruan në Kombinat, te punonjësi i Poliçanit që vrau shefin dhe pastaj veten, te Mandrea i Mirditës që vrau dy vëllezërit e deri te krimi i banditëve të rrugës që masakrojnë një grua për një varëse, pa përmendur vrasjen në Kamëz, për të cilën policia ka gati motivin po nuk gjen dot vrasësit, vëren se, në shumicën e rasteve, vrasjet bëhen për nder, se në themel të tyre është sedra e lënduar apo krenaria e dhunuar. Ka të tjera vrasje që bëhen për arsye të prishjes së pazareve të drogës apo të lloj-lloj aferave të tjera. Gjithë kjo situatë e hedh poshtë, sipas mendimit tim, idenë e trumbetuar me pompë se shqiptarët janë tolerantë ngaqë jetojnë në harmoni me të tria besimet. Kjo mund të jetë e vërtetë, sepse krimet apo përplasjet për arsye religjioze nuk janë vërtetuar në historinë e shqiptarëve. Ndërkaq, vetëm në këta njëzet vjet shqiptarët po tregojnë se janë armiq për vdekje me njëri-tjetrin. Shqiptarët, jo vetëm që nuk e respektojnë njëri-tjetrin, por në shumicën e rasteve e kanë frikë, ose i binden më të fortit dhe më kriminelit. Shqiptarët jetojnë me frikën nga shqiptarët. Ky në fakt është statusi i frikacakut dhe të paburrit. Sapo gjejnë rastin dhe për hiçmosgjë, ata rrëmbejnë armën dhe e vrasin shqiptarin tjetër.

Në qoftë se do të kërkonim të bënim një analizë socio-psikologjike dhe të përpiqeshim të gjenim rrënjët e kësaj dukurie, e kemi të vështirë, sepse studime të tilla nuk ka. Elitat shqiptare nuk janë marrë kurrë seriozisht me këtë fenomen. Nga ato pak të dhëna që njoh, më rezulton se, që kur u krijua shteti i parë shqiptar, nga pikëpamja sociopsikologjike, u ngjiz mbi ndarjen dhe mbi sherrin e keqkuptimit. Qeveria e Vlorës dhe arkitekti i Pavarësisë, Ismail Qemali, u sulmua me egërsi jo nga të huajt, por nga shqiptarët, nga Esat Toptani, duke krijuar dikotominë sociale të armiqësisë dyshe. Të krijohet përshtypja se, kur shqiptarët dolën më vete, Shqipëria u sulmua nga shqiptarët dhe u pushtua prej tyre me mizori. Shqiptarët e dalë nga Perandoria Otomane u derdhën si lukuni mbi trupin e gjorë të Shqipërisë dhe interesi i tyre nuk ishte njëjtësia e këtij vendi apo krijimi i atdheut të përbashkët, por lufta për ta zotëruar e për ta nënshtruar, për ta plaçkitur e për të bërë para. Vini re edhe sot, slogani që përdoret më shumë është “të bësh lekë”. Ai “bëri lekë”, rri ti rri, ai “po bën lekë” etj. Për të realizuar këtë aksiomë shqiptarët rrëmbenin dyfekun dhe vriteshin me njëri-tjetrin. Ahmet Zogu, nëse ka ndonjë meritë, duhet vlerësuar, veç të tjerash, se për një kohë relativisht të gjatë e ndërpreu këtë luftë, megjithëse në pjesën më të madhe të mandatit qeveriste nën kërcënimin e kryengritësve të Dibrës, që kishin zaptuar Rrugën e Barrikadave sot dhe mbanin të rrethuar Tiranën dhe ishin gati të thereshin me Zogun, pse ai nuk i përfshinte në qeveri. Në epokën komuniste vrasja dhe dhuna mbi kundërshtarin u poetizua dhe imazhi i shqiptarit krenar që vret armikun shqiptar dhe kundërshtar, u bë një simbol.

Komunizmi e eliminoi gjakmarrjen dhe diktatura nuk lejonte të vriteshin njerëzit me njëri-tjetrin. Ajo e shtriu ligjin nga qendra në periferi dhe krijoi një asimetri tjetër. Në këtë rast shteti ishte jo vetëm mbrojtësi i popullit, por edhe vrasësi ligjor i kundërshtarit. Pas rënies së komunizmit, në gjithë këta vjet, ne dëshmuam se nuk paskërkemi ndryshuar shumë nga agimi i shekullit XX, kur u shkëputëm nga Turqia. Shqiptarët rrëmbyen armët dhe iu turrën Shqipërisë dhe sot ne ngjajmë me një vend të plaçkitur nga bandat e politikanëve, me një gjykatë që nuk jep drejtësi, por e shet atë me euro, me një polici që jo vetëm nuk të mbron, por mund edhe të të zhdukë, siç ndodhi me policët e Pukës. Viti 1997 dëshmon par exellence mizorinë dhe urrejtjen e shqiptarit kundër shqiptarit. Nuk ka vëllavrasje më absurde se sa ai vit. Ndaj shqiptarët nuk kanë frikë më shtetin, por kanë frikë më të fortin, banditin. Tragjedia më e madhe është se edhe institucionet fetare, kisha sidomos, nuk luajnë dot rolin që patën luajtur në fillimet e shtetit shqiptar. Sot, për të përmendur vetëm një shembull, ajo, Kisha Katolike në Shqipëri ka shkelur amanetin e Nënë Terezës, ka përvetësuar 100 000 metra katrorë tokë te Fusha e Aviacionit, duke paguar vetëm 1000 euro dhe spitalin e Nënë Terezës nuk po e ndërton.

Rënia e autoritetit të institucioneve fetare ka shkuar paralel me rënien e autoritetit të shkollës dhe me eliminimin e përmasës themelore të vetëdijes së njeriut që është edukimi. Fëmijët tanë nuk i edukon asnjë institucion. Shkolla është shkatërruar nga binaja. Familja shqiptare është një godinë e rrënuar dhe gërmadhë. Fëmija nuk ka se ku të mësojë se si të sillet, se çfarë duhet të bëjë dhe çfarë nuk duhet të bëjë, nuk ka kush e mëson që të sillet si qytetar dhe që të ketë frikën e shtetit dhe të ligjit. Po sjell vetëm një shembull. Para disa kohësh gjithë media, që është në pronësi të I.Hysenbelliut, i cili ka në pronësi edhe Universitetin “Luarasi”, e “masakroi” Rektorin e Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, pse ky i fundit dukej se e kishte penguar që të merrte ambientin e konviktit të shkollës së mesme të gjuhëve të huaja. Në këtë kacafytje kishte absurditet dhe komedi. Dhori Kule njihet si i nënshtruar ndaj qeverisë, që nga dita kur pranoi të vinte emrin në listën e deputetëve të PD-së, madje në fund si numëror topi, megjithëse ishte vetë i zgjedhur nga një trupë akademike. Pronari i “Luarasit” është shfaqur me median e tij në krah të qeverisë dhe kacafytja ishte vërtet qesharake. Por askush nuk u kujtua të thoshte se, në një lajmërim të sajin, Drejtoria Arsimore e Tiranës shpallte se edhe këtë vit shkollat nëntëvjeçare do të vijonin me turne. Pyetja është e thjeshtë. Si ka mundësi që Lulzim Basha, ish-ministri i Brendshëm, që dha urdhër të vriteshin katër protestues, njeriu që uzurpoi Bashkinë e Tiranës, nuk u kujtua të merrte vendimin, që ai ambient të bëhej shkollë e mesme ose nëntëvjeçare, që fëmijët e Tiranës të mos e bëjnë shkollën me turne, por e hodhi atë konvikt si një llokmë mishi, ku Dhori Kule dhe I.Hysenbelliu gati sa nuk u shqyen? Ndërkaq, fëmijët tanë do të vijojnë të mësojnë në ambiente të mbyllura me 40 apo 50 vetë në klasë dhe me dy apo tri turne. Sapo të kthehen në shtëpi, shumica e tyre do të gjejnë prindërit që zihen e shkulen për flokësh për shkak të varfërisë. Ky, bashkë me prerjen e pyllit te Filologjiku, është zhvillim, thotë Henri Çili dhe kapitalizmi i tillë është. Në fakt ky është kapitalizmi që shante Enver Hoxha, por nuk është demokraci, por kjo është një temë tjetër, bashkë me universitetet private, që do ta rimarr në një shkrim tjetër. Modeli i shoqërisë që po ndërtojmë, është një model i shëmtuar dhe në imazhin që ai prodhon, shfaqen dy palë. Një palë janë shqiptarët e fortë, që kanë me vete edhe shtetin. Ata mund të bëjnë ç’të duan në këtë vend. Për ta nuk ka ligj, mjaft që ata të mbështesin qeverinë dhe të shajnë kundërshtarët e qeverisë. Modeli që shikon i riu apo e reja shqiptare, është modeli që shfaq një tip të tillë. Që të kesh sukses në këtë vend, duhet të kesh lidhje me qeverinë dhe bodyguardë të fortë. Të tjerët duhet të ulin kokën e të binden. Deri edhe Edi Rama, lideri i opozitës, për të shkuar në Gjirin e Lalëzit, në darkën e famshme të ngjalës, u ngrit në mes të natës dhe nuk udhëtoi si një politikan karriere, si Kryeministri i ardhshëm i këtij vendi, por zgjodhi të udhëtonte me një të fortë dhe gjithë biseda e tij me Ilir Metën për të “rrëzuar” Berishën e për të qeverisur Shqipërinë u bë nën praninë e një të forti. Shqipëria është tërësisht e dërrmuar dhe e shkatërruar psikologjikisht. Stofi i saj social është shthurur dhe në këtë vend askush nuk e di se përse duhet ta duash Shqipërinë e duhet të përpiqesh për të. Ne nuk kemi më një histori tonën. Po bëhen 100 vjet dhe ne ende nuk dimë se cila është hierarkia jonë e vlerave. Një popull, që me kazmë në dorë shkatërron të shkuarën e vet apo që e masakron atë në çdo 50 vjet, është i destinuar të humbë kujtesën. Sot ne kemi frikë të flasim për vlerat tona oksidentale, të tregojmë Pjetër Bogdanin, që u zhvarros nga turqit e iu hodh qenve në një pazar të Prishtinës. Ne vijojmë t’i përmendim Fishtës një aksident në jetën e tij vetjake dhe nuk bëjmë asgjë që ta ngremë në këmbë këtë vigan të kulturës shqiptare. Shfytyrimi ynë shpirtëror duket edhe në shkatërrimin që iu bë tash në fund Tiranës nga ish-ministri i Brendshëm që dha urdhër për zjarr më 21 janar. Çdo kryeqytet ka një qendër, në të cilën ndodhet bashkia, teatri, kinemaja, kisha apo xhamia dhe njerëzit identifikohen me këto shenja. Lulzim Basha e ktheu qendrën në një zabel, në një korije dhe qendra e Tiranës është zhvendosur në Bllok. Modeli i kësaj qendre është luksi i shfrenuar dhe vaniteti, kafehaneja dhe muzika live. Në imazhin e të riut shqiptar jeta dhe kuptimi i saj është modeli i Bllokut. Dhe kur nuk arrihet ai model, pra kur adoleshenti nuk arrin të gjejë para që të blejë cigare apo hashash, të pijë kafe e të rrijë në Bllok, pra, kur nuk e ndërton dhe nuk e realizon dot këtë arketip, bëhet agresiv dhe menjëherë dorën te pistoleta. Edhe ai adoleshenti nga Dibra apo nga Puka niset e vjen në Tiranë, sepse nuk ka asnjë iluzion tjetër për jetën, vetëm modelin e Bllokut. Modele të tilla, si: puna apo ndershmëria, sinqeriteti apo respekti ndaj tjetrit nuk ekzistojnë më dhe nuk shfaqen apo nuk transmetohen më nga askush. Po të ketë para mirë, po të mos ketë, del e vjedh dhe, po t’i rezistojnë, të vret. Kriza e rëndë e modelit ku jemi futur dhe modeli kriminal e banditesk që ofron sidomos kjo qeveri, i ka bërë shqiptarët që me atdheun të kenë vetëm atë lidhje që ka një bandit me një bankë që duhet ta grabisë. Problem për t’u zgjidhur është vetëm ora dhe ata që duhen vrarë.

Gazeta ‘Shqip’

Top Channel