Sekuestrohen pasuritë e Rezart Taçit

08/08/2012 20:15

Gjykata e Tiranës ka vendosur sekuestro konservative ndaj disa prej kompanive të biznesmenit të njohur Rezart Taçit dhe të pasurive të paluajtshme të bankës Credins për shkak të një borxhi të pakthyer prej 75 milionë euro, marrë për blerjen e kompanisë ARMO. 

Gjykata e Tiranës ka urdhëruar vendosjen e sekuestros konservative pranë Zyrës së Rregjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Tiranë dhe vendosjen e sekuestros konservative mbi 85% të aksioneve të shoqërisë “ARMO”, të zotëruara nga shoqëria “AMRA Oil”.

Gjykata po ashtu ka kërkuar vendosjen e sekuestros konservative mbi llogaritë bankare të dy shoqërive të sipërpërmendura, ndërsa ka kërkuar gjithashtu bllokim të pasurive të paluajtshme të “ARMO”, si dhe vendosjen e sekuestros konservative mbi gjendjen e stokut të saj deri në përfundim të gjykimit.

Sekuestroja vendoset për një shume jo më të madhe se 75 milionë euro. Ky vendim, i dhënë nga gjyqtari Ilir Çeliku, erdhi pas kërkesës së Bankës Ndërkombëtare të Azerbajxhanit, e cila ka provuar me fakte para gjykatës se për të realizuar investime në Shqipëri ka depozituar në nëntor të vitit 2008, në llogarinë e bankës Credins, shumën prej 75 milionë eurosh.

Gjykata ka provuar se kjo shumë është depozituar në bankën Credins në tre këste. Kësti i parë është depozituar më datë 18 nëntor 2008 në shumën 30 milionë euro, kësti i dytë më datë 19 nëntor 2008 në shumën 40 milionë euro dhe kësti i fundit më datë 21 nëntor të të njëjtit vit në shumën 5 milionë euro, për një total prej 75 milionë eurosh.

Por Banka Ndërkombëtare e Azerbajxhanit ka insistuar në kthimin e shumës pasi pretendon se banka nuk e ka mbajtur si depozitë, por e ka përdorur si kredi për ARMON. Gjithsesi, palët kanë të drejtën e ankimit në Gjykatën e shkallës së dytë dhe se nëse banka azerbajxhanase nuk do të depozitojë padinë e cështjes në themel brenda dy javësh, masa e sigurisë e humbet fuqinë e saj.

Top Channel